Foto_kryesore.jpeg

Ditën e Mërkurë, 29.05.2024 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Fakultetit të Ekonomisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. , Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla u prit nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule. Znj. Nikolla ishte e shoqëruar nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Z. Eduard Shalsi, Znj. Blerina Gjylameti dhe Znj. Eslenvera Zake. Në takim morën pjesë Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, anëtarë të dekanatit, pedagogë dhe studentë.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule theksoi se kjo iniciativë bashkëpunimi do të ndihmojë në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave ekonomike të vendit. Ndër të tjera, ai shtoi se ky bashkëpunim do të hapë dyer të reja për projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla e përshëndeti këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm për forcimin e dialogut ndërmjet akademisë dhe politikës. Shtoi gjithashtu se ky bashkëpunim është shembull i mirë i asaj që mund të arrihet kur institucionet punojnë për të mirën e përbashkët.

Kjo marrëveshje krijon mundësinë për përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në aspektet e ndryshme të punës së Kuvendit të Shqipërisë, duke forcuar më tej lidhjet midis institucioneve arsimore dhe shtetërore.

Foto nga aktiviteti

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.