Departamenti i Financës

Dep Financa

Përshkrim i përgjithshëm i departamentit
Departamenti i Financës është krijuar duke ruajtur vazhdimësinë nga dy ish katedrat: Katedra e Financës dhe Katedra e Kontabilitetit, që kanë ekzistuar deri në vitin 1992. Katedra e Financës është krijuar krahas krijimit të Institutit të Lartë Ekonomik në vitin 1952 dhe vazhdoi të funksionojë edhe pas krijimit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1957. Deri në dhjetor të vitit 2004, departamenti quhej Departamenti Financë-Kontabilitet. Në atë vit departamenti u nda në dy departamente: në Departamentin e Financës dhe Departamentin e Kontabilitetit. Departamenti i Financës mbulon rreth 40 disiplina që ofrohen në tre nivelet e programeve të studimit (cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë i studimeve) në të gjitha degët e Fakultetit të Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës.
Departamenti i Financës, aktualisht ka 30 pedagogë efektivë, nga të cilët 4 profesorë, 10 profesorë të asociuar, 8 doktorë, 8 pedagogë me diplomë master, të angazhuar intensivisht në kualifikimin pasuniversitar dhe që përballojnë me sukses një ngarkesë të konsiderueshme pedagogjike. Në Departamentin e Financës janë të përfshirë në veprimtarinë mësimore e shkencore dhe pedagogë të jashtëm, me përvojë në institucione të rëndësishme financiare të vendit, me grada e tituj shkencorë. Departamenti i Financës është përgjegjës së bashku me Departamentin e Kontabilitetit për drejtimin e programit të ciklit të parë të studimit në degën financë-kontabilitet. Departamenti i Financës kontribuon edhe në programe të ciklit të parë të studimit në profile të tjera, si: dega administrim-biznes, dega ekonomiks, dega informatikë ekonomike, etj.
Departamenti i Financës është përgjegjës për drejtimin e programeve të studimit të ciklit të dytë. Programet e studimit të drejtuara nga departamenti në këtë nivel janë dy: Master Shkencor në Financë (MSHF) dhe Master Profesional në Financë (MPF). Departamenti i Financës në bashkëpunim me Departamentin e Kontabilitetit janë përgjegjës, duke filluar nga viti akademik 2015-2016, për drejtimin e programit të studimit të ciklit të dytë “Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim” (MPFKA). Departamenti i Financës kontribuon edhe në programe të tjera studimi të ciklit të dytë, të ofruara në Fakultetin e Ekonomisë, si për shembull në: Masterat në Administrim Biznes (MSHAB dhe MPAB), Masterat në Administrim Publik (MSHAP dhe MPAP), Master Shkencor në Kontabilitet dhe Auditim (MSHKA), Masterat në Sistemet e Informacionit Ekonomik (MSHSIE dhe MPSIE), Master Profesional në Teknologjinë e Informacionit dhe Manaxhimin e Proceseve të Biznesit (MPTIMPB), Master Profesional në Menaxhim Turizëm (MPMT).
Departamenti ka drejtuar vazhdimisht programe studimi në bashkëpunim edhe me universitete jashtë vendit, ku mund të përmendet kursi pasuniversitar njëvjeçar në financë-bankë, krijuar si rezultat i një projekti trevjeçar bashkëpunimi me partnerë evropianë si: Universiteti i Ankonës (Itali), Universiteti i Maçeratës (Itali), Universiteti i Uellsit (Angli) etj, në kuadrin e një projekti TEMPUS. Po në kuadër të projektit TEMPUS në bashkëpunim me Universitetin e Modenas (Itali) dhe Universitetin GEA (Slloveni), Departamenti i Financës ka krijuar dhe ka vënë në funksionim për herë të parë Masterin Profesional. Së fundmi, Departamenti i Financës po bashkëpunon me Universitetin e Torinos (Itali), duke mundësuar ofrimin e Masterit Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim. Gjithashtu në vitin 2016 Departamenti i Financës, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Novi Sad, është fitues i projektit “Knowledge for Resilient Society” në kuadër të programit Erasmus Plus for Capacity-Building in Higher Education (CBHE). Projekti synon zhvillimin e kurrikulës në lidhje me menaxhimin e riskut, rreziqeve natyrore, dhe objektiva që adresojnë problematika të menaxhimit sasior të riskut, si pjesë e partneritetit të shteteve: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.

Kërkimi në departament
Departamenti i Financës është përgjegjës për drejtimin e programit të Shkollës së Doktoraturës në Financë. Departamenti ka dhënë një kontribut të vlefshëm në hartimin dhe zbatimin e programeve bashkëkohore të studimeve të doktoraturës. Programi i kësaj shkolle parashikon thellime në disa drejtime bazë, si: metodologjia dhe metodat e kërkimit, teoritë financiare, drejtimi financiar, tregjet financiare, drejtimi bankar, teoria dhe analiza e portofolit, teoria moderne e investimeve, etj. Krahas këtyre fushave, studentët plotësojnë njohuritë e tyre edhe në fusha të tjera ndihmëse, të cilat pasurojnë dhe zgjerojnë kornizën e njohurive të marra. Vetëm vitet e fundit, në këtë program të ciklit të tretë të studimeve, kanë mbrojtur punimet e tyre rreth 30 doktorantë, janë drejt finalizimit të këtij procesi 10 kandidatë dhe e vazhdojnë atë 25 kandidatë të tjerë. Departamenti jep kontributin e tij shkencor e profesional edhe në fusha e sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Një pjesë e anëtarëve të departamentit kontribuojnë në forma të ndryshme veprimtarie në fushën e administratës publike, të biznesit, të sektorit bankar e financiar, si: pjesëmarrje në borde, në procesin e trajnimit dhe të rekrutimit të punonjësve, ekspertiza e konsulenca, etj. Në ndihmë të punës kërkimore dhe shkencore të departamentit ka qenë dhe organizimi i konferencave të ndryshme nga departamenti, si: Konferencat Kombëtare të Financës, Konferenca Ndërkombëtare, si dhe Konferencat Studentore. Për t’u vlerësuar është kontributi i departamentit në kërkimet shkencore në formën e artikujve, monografive, pjesëmarrjeve në konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit, etj. Departamenti ka bashkëpunime me departamente të universiteteve perëndimore e rajonale, si në SHBA, Angli, Itali, Gjermani, Francë, Slloveni, Kosovë, Maqedoni, etj.

Konferenca
Departamenti i Financës ka qenë iniciues dhe organizator i Konferencave Kombëtare për Financën. Nëpërmjet organizimit të këtyre konferencave departamenti ka synuar të jetë pranë zhvillimeve në ekonominë shqiptare, të trajtojë çështje të saj dhe të propozojë rrugë për zgjidhje konkrete, duke u përpjekur t’i largohet trajtimeve të izoluara, teorike dhe fare pak praktike të sfidave ekonomike të vendit. Janë zhvilluar dy Konferenca Kombëtare për Financën: Konferenca e Parë Kombëtare për Financën dhe Konferenca e Dytë Kombëtare për Financën. Këto aktivitete kanë mbledhur së bashku pjesëmarrës nga fusha kërkimore-shkencore, akademikë, studentë dhe profesionistë të shquar brenda vendit. Krahas diskutimit dhe paraqitjes së studimeve nga ana e kërkuesve dhe profesionistëve të fushës, fokus i konferencave të zhvilluara kanë qenë edhe studentët aktualë dhe të ardhshëm të Shkollave Doktoraturë në Fakultetin e Ekonomisë. Këto konferenca kanë shërbyer si mjedis për diskutimin dhe kornizimin e ideve të tyre të kërkimit. Debati me profesionistë dhe akademikë të fushave të ndryshme të ekonomisë ka ndihmuar këta studentë në adresimin e fushës së kërkimit dhe forcimin e projekt-propozimeve të tyre. Këto konferenca gjithashtu i kanë mundësuar studentëve më të mirë të Masterit Shkencor të Financës të prezantojnë projektet dhe studimet e tyre, duke ju krijuar në këtë mënyrë një mundësi shumë të vlefshme për promovimin e punës së tyre.

Konferenca e Tretë Kombëtare për Financën: (Klikoni këtu për të vizituar faqen zyrtare të Konferencës)
“Prioritetet e Ekonomisë Shqiptare në Kuadër të Integrimit Rajonal dhe Global”
Në rrugën e hulumtimit shkencor dhe kontributit akademik e profesional, Departamenti i Financës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, organizon Konferencën e III Kombëtare për Financën, me fokus “Prioritetet e Ekonomisë Shqiptare në Kuadër të Integrimit Rajonal dhe Global”, duke vijuar traditën e Konferencës së Parë Kombëtare për Financën (2014); Konferencës së Dytë Kombëtare për Financën (2016) dhe Konferencës Ndërkombëtare ICMF (2009). Konferenca e Tretë Kombëtare për Financën mbledh sëbashku pjesëmarrës nga fushat e kërkimit shkencor (akademikë, studiues dhe studentë), profesionistë të shquar të vendit dhe synon të nxisë debatet për çështjet aktuale dhe specifike për ekonominë shqiptare, duke propozuar rrugë dhe zgjidhje konkrete, rreth hartimit të politikave në menaxhimin e financave publike dhe private dhe në përmirësimin e klimës së biznesit përmes rritjes së konkurrencës së lirë dhe të ndershme, si dhe harmonizimin e tyre me kushtet e integrimit në BE.
Vendi ynë, në rrugën e zhvillimit ekonomik, gjithnjë përballet me sfidat e vendosjes së prioriteteve dhe thellimin e reformave në sektorët kyç të ekonomisë, të kushtëzuara nga standardet e integrimit rajonal dhe global. Ekonomisë shqiptare i nevojiten reforma të qenësishme strukturore, që rrisin produktivitetin dhe konkurrencën në ekonomi, krijojnë më shumë vende pune, përmirësojnë klimën e biznesit, si dhe krijojnë premisa për të konkurruar në tregjet rajonale dhe globale, për të krijuar një mjedis me stabilitet makroekonomik dhe me përmirësim të vazhdueshëm të rritjes ekonomike. Në sajë të përmirësimit të qeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike, partneritetit publik-privat, nxitjes së sipërmarrjeve private, si edhe intensifikimit të marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare, mund të arrihet më shpejt në një përmirësim të qenësishëm të ekonomisë shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, Konferenca e Tetë Kombëtare për Financën synon ndër të tjera të sjellë mendimin akademik si zërin kritik dhe mbështetës të reformave, duke kontribuar konkretisht në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe financiar të vendit. Një mesazh shumë i rëndësishëm në këtë konferencë është ai i bashkëpunimit të departamentit me institucione financiare publike dhe private në funksion të: shkëmbimit të të dhënave dhe rezultateve të studimeve, të unifikimit të fushave të studimit si dhe të hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta. Gjithashtu, dimensioni i punimeve të kësaj konference, në gjerësinë e tematikave që shpalos dhe në thellësinë e kërkimit shkencor, praktik e profesional, do të shërbejë si një tablo nxitëse e promovuese edhe për kërkimin shkencor të tezave të doktoraturave dhe të mikrotezave të masterit, në hartimin dhe konkretizimin e ideve kërkimore, duke përforcuar projekt-propozimet e tyre.

Konferenca e Dytë Kombëtare për Financën
“Konferenca e Dytë Kombëtare për Financën” me fokus: “Sfidat e Zhvillimit të Ekonomisë Shqiptare”, u zhvillua në datë 27 Maj 2016. Konferenca zhvillohej në një kohë kur qeverisja qendrore dhe ajo vendore në Shqipëri, pas kryerjes së një sërë reformave në dy vitet e para të qeverisjes të tilla si: reforma fiskale, reforma në energjitikë, reforma në skemën e sigurimeve shoqërore, reforma në arsimin e lartë, reforma e ndarjes territoriale të njësive vendore, etj, do të përballej tanimë me efektet e tyre. Të gjithat këto reforma janë të diskutueshme dhe objekt studimi i akademikëve dhe ekspertëve të ekonomisë, për përcaktimin e efekteve dhe pasojave që ato do të sjellin në vitet në vazhdim si tek individët, ashtu edhe tek bizneset. Pikërisht për këtë arsye, Konferenca e Dytë Kombëtare për Financën synoi ndër të tjera të sjellë mendimin akademik si zërin kritik dhe mbështetës të reformave, duke kontribuar konkretisht në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe financiar të vendit. Një mesazh shumë i rëndësishëm në këtë konferencë ishte ai i bashkëpunimit të departamentit me institucione financiare publike dhe private në funksion të: shkëmbimit të të dhënave dhe rezultateve të studimeve, të unifikimit të fushave të studimit, të hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta, të lehtësimit të zhvillimit të praktikave mësimore të studentëve, të organizimit të trajnimeve të përbashkëta profesionale, të lehtësimit të punësimit të studentëve të ciklit bachelor dhe të ciklit master, etj, për ti ardhur më shumë dhe më shpejt në ndihmë rimëkëmbjes së ekonomisë. Në këtë konferencë, fryma e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, qeverisjes dhe biznesit u konsiderua rruga e duhur për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik të vendit dhe në të njëjtën kohë mundësia më e mirë për përshpejtimin e modernizimit të vetë institucioneve të arsimit të lartë, duke ju përgjigjur me shpejtësi dhe efikasitet kërkesave aktuale të tregut. Në këtë konferencë u prezantuan 43 tema të punuara nga 66 autorë, pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm të Departamentit Financë, pedagogë të departamenteve të tjera të FE, apo të universiteteve të tjera, bashkëpunëtorëve të ngushtë të departamentit, studentë të shkollave të ndryshme doktoraturë, të Fakultetit të Ekonomisë, si dhe punime të studentëve të diplomuar në Master Shkencor. Punimet e prezantuara në këtë konferencë sollën risi dhe kontribut në fushat e studimit të grupuara në tre seksione të rëndësishme: “Sfondi i zhvillimit të sistemit të ndërmjetësimit financiar”, “Sipërmarrje e biznesit, një trajtim analitik” si edhe “Ekonomia shqiptare në fokusin e indikatorëve”.

Konferenca e Parë Kombëtare për Financën
“Konferenca e Parë Kombëtare për Financën” me fokus: “Udhëkryqet e Ekonomisë Shqiptare”, u zhvillua në datë 5 Dhjetor 2014. Konferenca zhvillohej në një kohë kur ekonomia e tregut konsolidohej kryesisht në sajë të zhvillimit të institucioneve financiare në sektorin banker, apo në atë të sigurimeve, por ndërkohë kishte nevojë për stimuj për zhvillimin dhe rritjen e mëtejshme të sektorit privat, stimuj që fokusoheshin kryesisht në: krijimin e kushteve më të mira për biznesin, reduktimin e burokracisë administrative, nxitjen e iniciativave të reja, zhbllokimin e pagesave të papaguara nga sektori publik, përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga zyrat e administratës shtetërore, etj. Në këtë konferencë u prezantuan 31 tema të punuara nga 58 autorë, pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm të Departamentit Financë, pedagogë të departamenteve të tjera të FE, apo të universiteteve të tjera, bashkëpunëtorëve të ngushtë të departamentit, studentë të shkollave të ndryshme doktoraturë, të Fakultetit të Ekonomisë, si dhe punime të studentëve të diplomuar në Master Shkencor. Punimet e prezantuara në këtë konferencë sollën risi dhe kontribut në fushat e studimit të grupuara në tre seksione të rëndësishme: “Sfidat e zhvillimit të sistemit të ndërmjetësimit financiar”, “Sipërmarrje financiare, një trajtim analitik” si edhe “Ekonomia shqiptare në fokusin e indikatorëve”.

Konferenca të tjera
Konferenca e Parë Kombëtare për Financën dhe Konferenca e Dytë Kombëtare për Financën vijnë si rrjedhojë edhe e përvojave të mëparshme të Departamentit të Financës në bashkëpunimet ndër vite me departamente të universiteteve perëndimore e rajonale. Për t’u nënvizuar në këtë drejtim mund të përmendet Konferenca Ndërkombëtare, ICMF 2009 “New Perspectives in Finance, Banking and Mangement”, e organizuar nga Departamenti Financë në kuadër të projektit TEMPUS në bashkëpunim me universitetet partnere në projekt, italiane dhe sllovene, si edhe produkti i realizuar në kuadër të këtij projekti që ishte krijimi dhe funksionimi për herë të parë i Masterit Profesional në Financë, pranë Departamentit Financë. Traditë e Departamentit të Financës janë gjithashtu Konferencat Studentore të organizuara në vite me fokus ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Aktivitete
Departamenti i Financës organizon leksione të hapura me specialistë të fushës së finances, si pjesë e bashkëpunimit me institucione publike dhe kompani private, kryesisht në sektorin financiar. Këto leksione të hapura dhe orë informuese i vijnë në ndihmë studentëve për të njohur më mirë mundësitë e punësimit në institucionet dhe kompanitë përkatëse, si dhe për të bërë një përqasje më praktike të njohurive të marra.
Departamenti është gjithashtu aktiv në mbështetjen e konkurseve dhe organizimeve studentore, si për shembull konkurse debati dhe aktivitete të tjera në ndihmë të zhvillimit profesional dhe akademik të studentëve në ciklin e studimit Bachelor dhe Master. Në kuadër të informimit dhe krijimit të kontakteve të qendrueshme me studentë, Departamenti i Financës në bashkëpunim me Departamentin e Kontabilitetit organizon çdo fillim viti akademik ditët e takimeve informuese përkatësisht me studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë, të ciklit Bachelor në degën “Financë-Kontabilitet”. Këto takime kanë si qëllim informimin e studentëve në lidhje me: programin mësimor, strukturën mësimore të vitit akademik, detyrimet e vitit, etj, si edhe njohjen me nevojat e studentëve. Gjithashtu, për studentët e nivelit Master në degën “Financë”, Departamenti Financë zhvillon takime informuese të ngjashme, por me një fokus më profesional. Në këto takime të hapura synojmë të ftojmë kompani partnere me qëllim krijimin e mundësive të punësimit apo të praktikave mësimore, si edhe krijimin e urave të nevojshme të komunikimit midis biznesit dhe profesionistëve të ardhshëm.

Kontakt
E-mail:
Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.