Titulli akademik i studimit | Diplomë Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim |
---|---|
Cikli i studimit | Studime të Ciklit të Dytë |
Emri dhe statusi i institucionit | Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Institucion publik |
Gjuha e përdorur në mësimdhënie/ provime | Anglisht, Shqip |
Kohëzgjatja zyrtare e programit të studimit | 1.5 vjet |
Forma e studimit | Me kohë të plotë |
Kushtet e pranimit në programin konkret të studimit
Studentët që kanë përfunduar një Program Bachelor në Financë–Kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë, pranohen në programin Master pa ndonjë kërkesë shtesë të përmbushjes së njohurive arsimore bazë. Studentët që kanë përfunduar një Program Bachelor në Financë-Kontabilitet në fakultete të tjera (publike/private/kombëtare/të huaja) mund të pranohen pas njohjes formale të diplomës së tyre sipas rregullores përkatëse të Fakultetit të Ekonomisë.
Studentët që kanë përfunduar një program Bachelor në Administrim- Biznes në Fakultetin e Ekonomisë, pranohen në Master, pas përftimit të njohurive të tyre arsimore bazë.
Për studime të kryera jashtë shtetit kërkohet ekuivalentimi dhe njohja e Diplomës nga MAS (Ministria e Arsimit dhe Sportit).
Objektivat dhe veprimtaritë formuese të programit të studimit
Objektivi kryesor i këtij programi studimi është formimi i ekspertëve dhe specialistëve të mirëfilltë në fushat praktike të financave, kontabilitetit dhe auditimit. Masteri zhvillohet si bashkëpunim i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe Universitetit të Torinos. Programi Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim është me natyrë të fokusuar aplikative dhe ofron formim kryesisht praktik, për arritjen e objektivave profesionale në fushat e mësipërme, me synimin e pajisjes së studentit me aftësi dhe njohuri të thelluara të kuadrit zbatues në fushën e financës, kontabilitetit dhe auditimit për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale.
Në fokusin e tij të plotë ky program studimi gërsheton njohuri teorike dhe praktike për të inkurajuar tek studenti mendimin kritik dhe kreativ si dhe t’i ekspozojë ata drejt çështjeve bashkëkohore dhe kyçe në fushën e financave, kontabilitetit dhe auditimit nëpërmjet një modeli mësimi të mbështetur fuqishëm nga praktikat më të mira. Programi Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim synon të sigurojë një aparat të plotë dhe të fokusuar, njëkohësisht, ai i profilizon studentët në fusha të ndryshme si:
- drejtimi financiar i bizneseve dhe vendimmarrja financiare;
- hartimi, përdorimi, analiza dhe interpretimi i pasqyrave financiare sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe të raportimit financiar;
- planifikimi dhe administrimi i tatimeve sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar;
- matja, vlerësimi, analiza dhe menaxhimi i riskut;
- dizenjimi, përdorimi dhe auditimi i sistemeve të kontabilitetit;
- planifikimi, organizimi dhe menaxhimi i procedurave të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm; etj.
Ky program studimi përgatit specialistë me cilësi dhe shprehi të larta teknike dhe profesionale drejt një karriere të suksesshme, në përputhje me modelet dhe vizionet bashkëkohore të strukturave institucionale publike dhe private, në kontekstin e globalizimit dhe integrimit europian.
Skema e vlerësimit
Shkalla e përvetësimit të programit mësimor vlerësohet me sistem notash nga 1 në 10, ku notat kanë kuptimin e mëposhtëm: 1-4 mbetës, 5 mjaftueshëm, 6 kënaqshëm, 7-8 mirë, 9 shumë mirë, 10 shkëlqyer.
Gjatë provimeve aplikohet një sistem pikësh, rezultatet e të cilave konvertohen në nota bazuar në skemën e mëposhtëme:
Nota | Pikët |
---|---|
4 | deri në 50 pikë |
5 | 51-57 |
6 | 58-65 |
7 | 66-73 |
8 | 74-81 |
9 | 82-89 |
10 | 90-100 |
Mundësitë e punësimit dhe të kualifikimit profesional
Ky master synon t’u japë studentëve një mundësi të sigurt punësimi në kompani auditimi, kompani konsulence, banka, kompani sigurimi dhe institucione të tjera financiare, biznese të sektorëve të ndryshëm me fokus jo financiar, etj. Sistemi i njohurive që ofrohet nga ky program dhe kompetencat që përfitojnë studentët nëpërmjet tij u mundësojnë atyre ndjekjen e një karriere të suksesshme. Pas përfundimit të këtij programi studimi, në sajë të njohurive të marra, studenti ka akumuluar gjithë aftësitë e nevojshme si ekspert në financë, kontabilitet dhe auditim, në një nivel të lartë njohurish shkencore teorike dhe praktike, duke bërë që një diplomë e tillë të mundësojë punësimin në institucione në nivel qendror dhe lokal, ente, kompani (publike apo private), shoqata të ndryshme, etj. si specialist i fushës përkatëse të studimit.
Detajet e programit të studimit
Nr. | Lënda | ECTS | Orë gjithsej | Semestri |
---|---|---|---|---|
1 | Financa e Aplikuar | 7 | 60 | I |
2 | Pasqyrat Financiare SNK/SNRF dhe Konsolidimi | 6 | 60 | I |
3 | Legjislacion Tatimor | 7 | 60 | I |
4 | Analiza e Riskut | 6 | 60 | I |
5 | Organizim i Sistemeve të Kontabilitetit | 6 | 60 | I |
6 | Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe Shërbimet e Sigurisë | 6 | 60 | II |
7 | Analiza e Pasqyrave Financiare | 6 | 60 | II |
8 | Këshillimi dhe Vendimmarrja Financiare | 7 | 60 | II |
9 | Manaxhimi i Aftësive Profesionale dhe Personale | 6 | 60 | II |
Lëndë me Zgjedhje | ||||
10 | Qeverisja dhe Auditimi i Sistemeve të Informacionit | 6 | 60 | II |
Aplikimi i Modeleve në Financë | ||||
11 | Praktika | 9 | 180 | III |
12 | Mikroteza | 18 | 36 | III |
Gjithsej | 90 | 816 |