Për të qenë gjithmonë aktiv, për të zhvilluar potencialin dhe talentin tuaj drejt një të ardhmeje të sigurt profesionale…Qendra e Karrierës është gjithmonë pranë jush: "Për t’u zhvilluar së bashku...”
Qendra e Karrierës, pjesë e strukturës së Universitetit të Tiranës, filloi të funksionojë në vitin 2010. Zyra e parë e Qendrës së Karrierës u hap në Fakultetin e Ekonomisë me fillimin e vitit akademik Tetor 2012. Ndërsa sot, janë hapur katër zyra karriere, përkatësisht pranë: Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Ekonomisë.
Misioni i Qendrës është të mbështesë dhe të inkurajojë studentët dhe Alumnin në zhvillimin e potencialit të tyre për një përqasje më të mirë në tregun e punës, duke rritur kështu numrin e të punësuarve në fushën e tyre të studimit. Ky mision vendoset në jetë, së pari, duke pasuruar eksperiencën studentore, në vijim me punë për t’i përgatitur studentët për kalimin në tregun e punës dhe më pas, duke mundësuar ndërmjetësimin me këtë treg.