Foto_1_1_1.jpg
Në kuadër të hapit të rëndësishëm drejt promovimit të arsimit dhe zhvillimit të aftësive të studentëve, Fakulteti i Ekonomisë ka rinovuar marrëveshjen e bashëpunimit me Junior Achievement of Albania (JAA). Prezentë në këtë aktivitet ishin dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule; Drejtoresha Ekzekutive e JAA, Znj. Blerina Guga, përfaqësues nga Dekanati, pedagogë dhe studentë. 
Dekani në fjalën e tij hapëse shprehu qëllimin e përbashkët për të avancuar më tej arsimin dhe për të qënë me afër me studentët në zhvillimin e aftësive të tyre. Ndër të tjera, Prof. Dr. Dhori Kule shtoi se në shkollat e mesme është shtuar lënda e ekonomisë së zbatuar, ku nxënësit mund të marrin njohuritë fillestare mbi në këtë fushë. Në vijim të kësaj, është menduar të bashkëpunohet për të angazhuar studentët e Fakultetit të Ekonomisë, dega Ekonomiks dhe të tjera si profesionistë të kësaj fushe ose të krijohet mundësia për hapjen e një programi master, me qëllim riaftësimin e atyre mësuesve që nuk janë të kualifikuar.
 Znj. Blerina Guga u shpreh se këto opsione janë diskutuar dhe është menduar për një propozim të mirëfilltë për ti riaftësuar këta mësues, ku në 400 mësues vetëm shumë pak prej tyre janë të fushës. Ridimesionimi i një propozimi do të ndihmonte që misioni në transmetimin e njohurive fillestare të ekonomisë tek nxënësit të jetë i duhuri. Ndër të tjera, Znj. Guga foli dhe për programin “Debating Economics”, i cili synon të zhvillojë aftësitë debatuese të studentëve, nxitjen e mendimit kritik dhe të aftësive të tyre analizuese, zhvillimin e aftësive të të folurit në publik, si dhe nxitjen e vlerave demokratike. 
Ky partneritet reflekton angazhimin e dy palëve për të ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm të aftësive të studentëve dhe për të krijuar një mjedis më stimulues dhe inovativ në fushën e arsimit. 
Për të gjithë studentët që dëshirojnë të jenë pjesë e Klubit të Debatit të Fakultetit të Ekonomisë, të plotësojnë linkun e mëposhtëm: https://forms.gle/fCakb8unua2bzSeT8
Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.