Ditën e Hënë, dt. 19 Dhjetor 2022, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë u zhvillua një leksion i hapur me pedagogen e ftuar nga Universiteti i Bolonjës, Magali Fia dhe me doktorantët e Departamentit të Menaxhimit mbi “Procesin e Publikimit në Revistat Shkencore Ndërkombëtare”.
Të pranishëm në aktivitet ishin Znj. Magali Fia, studiuese post doktorale, anëtare e Qendrës së Biznesit Social Yunus dhe anëtare e komitetit shkencor të Qendrës EconomEtica për Etikën e Biznesit të Universitetit të Bolonjës, gjithashtu të pranishëm ishin dhe studentët doktoral të Departamentit të Manaxhimit si dhe Prof. Asoc. Genc Alimehmeti.
Vëmendje e veçantë u kushtua mbi “Procesin e Publikimit në Revistat Shkencore Ndërkombëtare”, si të gjejmë një revisitë shkencore që artikulli të pranohet me sukses, të jetë i fushës përkatëse të studimit të doktorantit dhe të jetë i rankuar ndërkombëtarisht.
Gjatë leksionit të saj, Znj. Magali, diskutoi mënyrat dhe teknikat për të patur sukses në publikim në revistat ndërkombëtare me impakt factor, raste praktike, si mund të kalohet nga një ide, në dizenjimin e literaturës, shkrimin e metodologjisë të gjithë punimit, duke marrë parasysh revistën e synuar. Gjithashtu, ajo tregoi edhe disa nga strategjitë e përzgjedhjes së revistave.
Ky takim do të shërbejë në të ardhmen si urë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet doktorantëve të Departamentit të Manaxhimit dhe kërkuesve shkencorë të Universitetit të Bolonjës.
Në fund të aktivitetit, studentë doktoral drejtuan pyetje në lidhje me temën e prezantuar.