Departamenti i Financës FEUT, në përputhje me Ligjin 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në kuadër të projekteve konkurruese e të shpallura fituese dhe të miratuara nga Dekani i FEUT për punën kërkimore të financuar nga FEUT, në periudhën Tetor - Dhjetor 2022, ka realizuar studimin me temë: “Analiza e tregut të punës dhe karrierës për studentët e Departamentit të Financës”.
Ky projekt kërkimor ka në fokus të tij analizën e të dhënave cilësore dhe sasiore lidhur me tregun e punësimit për profesionistët e fushës së financës, duke synuar studimin e nevojave të tregut në lidhje me këtë profesion si dhe rezultatet e arritura në karrierën profesionale nga studentët e diplomuar në programet e studimit në Financë pranë FEUT.
Projekti ka patur si qëllim realizimin e një studimi, i cili targeton mundësitë e ofruara në tregun e punësimit dhe lidhjen me aftësitë e fituara në profesionin e financës nga studentët e diplomuar pranë këtij departamenti.
Studimi bazohet në metodologjinë e mbledhjes së të dhënave primare në dy drejtime kryesore: realizimi i fokus grupeve me përfaqësues të kompanive/institucioneve kryesore në Shqipëri duke zhvilluar intervista në formën e pyetjeve të hapura për të identifikuar nevojat dhe zhvillimet e tregut të punës në drejtim të profilit të financës; dhe së dyti shpërndarja e pyetësorëve drejtuar Alumni të diplomuar në degën Financë për të studiuar të dhënat cilësore dhe sasiore që lidhen me punësimin e studentëve, nivelin e pagës, vlerën e shtuar të studimeve në profilin e punësimit, shkallën e arritjes profesionale, e më gjerë.
Ky pyetësor drejtuar Alumni, është hartuar gjithashtu në kuadër të iniciativës dhe angazhimit të Departamentit të Financës, FEUT, për të ndjekur studentët e diplomuar edhe pas përfundimit të studimeve në tregun e punës, me qëllim bashkëpunimin e ndërsjelltë në të ardhmen.
Fokus grupet u zhvilluan me përfaqësuesit kryesorë të sektorit bankar; kompanitë e auditimit dhe këshillimit financiar; kompanitë e sigurimit; kompani biznesi; kompani teknologjie; dhe institucione qeverisëse si Ministri e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Tiranë, DAP, etj.
Nga analiza e të dhënave dhe përpunimi i gjetjeve të studimit, u hartuan rekomandimet dhe konkluzionet e studimit që sjellin një kontribut në krijimin e një strategjie efektive në lidhje me politikat që duhet të ndiqen për krijimin e kurrikulave sa më të përditësuara dhe më pranë studentëve.
Foto gjatë zhvillimit të aktiviteteve të Departamentit të Financës, FEUT