marreveshja_me_Universitetin_Poitiers.jpeg

Në zbatim të marrëveshjes së firmosur në Universitetin e Poitiers, Francë në datën 6 Nëntor 2019 ndërmjet Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule dhe Dekanes së Fakultetit të Shkencave Ekonomike të Universitetit të Poitiers, Prof. Liliane Bonnal, gjatë periudhës 21-26 Nëntor 2022 në FEUT kreu një vizitë të karakterit akademik dhe bashkëpunues një delagacion i Fakultetit të Shkencave Ekonomike të Universitetit të Poitiers.

Bashkëpunimi me këtë fakultet është në kuadër të zgjerimit të marrëdhënieve midis Fakultetit të Ekonomisë, UT dhe Universitetit të Poitiers. FEUT që prej 20 vjetësh ka marrëdhënie të ndërsjellta intensive pune në mësimdhënie dhe kërkim shkencor me Institutin për Administrimin e Ndërmarrjeve të Universitetit të Poitiers.

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit, tashmë marrëdhëniet janë shtrirë edhe me Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Poitiers. Aktualisht bashkëpunimi është në fazën e zgjerimit dhe të thellimit duke projektuar për të ardhmen, përveç shkëmbimit të pedagogëve e studentëve edhe vizita studimore me afatzgjatje të ndryshme, organizim të kërkimeve shkencore të përbashkëta, të konferencave shkencore dhe bashkëpunim në fushën e shkollave të doktoraturës.

Delegacioni i kolegëve francezë përbëhej nga tre profesorë dhe punonjës kërkimor të këtij universiteti dhe u organizua në kuadër të projektit Erasmus Plus KA 171.
- Prof. Cornel Oros, Bashkëdrejtues i Fakultetit të Shkencave Ekonomike, në Universitetin e Poitiers, dhe drejtor i Laboratorit të kërkimeve CRIEF, pranë këtij fakulteti, njëherazi pedagog i Drejtimit të Portofolit, 
- Prof. Philippe Rogeon, Përgjegjës i Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij fakulteti dhe njëherësh pedagog i Statistikës së Aplikuar dhe Matematikës,
- Prof. Eliane Jahan, pedagoge e Statistikës dhe e Ekonomisë monetare pranë këtij fakulteti.

Delegacioni realizoi një axhendë intensive nën shoqërimin e kordinatorit të projektit për Fakultetin e Ekonomisë, Prof. Sherif Bundo dhe u prit nga Zëvendës Dekanët, Prof. Fatmir Memaj, Zv. Dekan për Sigurimin e Cilësisë, Kërkimin Shkencor dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Dr. Martin Sereqi, Zv. Dekan për Marrëdhëniet me Sipërmarrjet dhe Institucionet Publike.

Gjatë kësaj vizite, kolegët francez takuan studentë të interesuar për bashkëpunimin me Universitetin e Poitiers, si dhe mbajtën leksione për studentet e fakultetit në lëndët e Statistikës dhe të Drejtimit të Portofolit.

Foto nga takimet dhe leksionet e pedagogëve francezë

Copyright © 2023 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.