WhatsApp_Image_2022-10-28_at_1.10.15_PM_1.jpeg

Ditën e Hënë, datë 24 Tetor 2022, Dekani i FEUT, Prof. Dhori KULE, së bashku me katër zëvendësdekanët: Prof. Fatmir Memaj, Prof. Mimoza Kasimati, Prof. Asoc. Alban Korbi, dhe Dr. Martin Serreqi pritën një grup profesorësh dhe akademikësh të Universitetit të Poitiers, Francë, të cilët gjatë një periudhe një javore do të japin leksione dhe do të bashkëpunojnë me kolegët e tyre të Fakultetit të Ekonomisë. Në takim mori pjesë edhe koordinatori i projektit për Fakultetin e Ekonomisë Prof. Sherif Bundo.

Në takim u diskutua për intensifikimin e marrëdhënieve ekzistuese shumë frytëdhënëse midis dy universiteteve. 

Ekipi i Universitetit të Poitiers kishte në përbërje të tij profesorë të shquar, dy prej të cilëve janë nderuar me titullin Kalorëse e Legjionit të Nderit të Francës:

1. Evelyne Lande, Profesore, ish Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Kalorëse e Legjionit të Nderit të Francës,

2. Monique Cameleri, Profesore, zv/dekane për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kalorëse e Legjionit të Nderit të Francës,

3. Otis Pioche, Përgjegjës i programit Erasmusit+ në Universitetin e Poitiers,

4. Pascal Dumalin, Profesor, shef sektori në Laboratorin nacional të kërkimeve në mekanikë,

5. Një gazetar dhe katër punonjës të tjerë akademik dhe administrativ.

Në takim u evidentuan arritjet impresionuese të deritanishme, përveç të tjerash, këmbimet e ndërsjellta të studentëve dhe pedagogëve. 

1. Rreth 202 studentë të Universitetit të Tiranës, kanë realizuar me sukses nga një vit studime në Universitetin e Poitiers, kryesisht në fushën e ekonomisë.

2. Mbi 28 studentë të Universitetit të Poitiers kanë realizuar praktikat 4-6 mujore pranë kompanive shqiptare, të drejtuar nga profesorët e FEUT,

3. Mbi 35 profesorë të FEUT dhe UT, janë ftuar dhe kanë dhënë leksione në Universitetin e Poitiers

4. Mbi 20 profesorë të Universitetit të Poitiers janë ftuar në auditoret e FEUT dhe kanë dhënë leksione me profesionistët shqiptarë të ekonomisë, financës dhe kontabilitetit,

Së fundi, dy universitetet janë shpallur fitues të një projekti të ri Erasmus plus KA171, me buxhet mbi 1 milion euro, projekt për të cilin Bashkimi Europian ka shprehur vlerësime shumë të mira, bazuar në rezultatet konkrete, progresin e evidentuar qartë dhe bashkëpunimin e suksesshëm të realizuar në projektin e mëparshëm midis stafeve të të dy Universiteteve. Ky projekt ka qenë i suksesshëm edhe gjatë viteve të vështira të pandemisë Covid 19. Në projektin e ardhshëm parashikohet rrije e bashkëpunimit dhe intensifikim i marrëdhënieve në fushën akademike, kërkimore dhe të projekteve.

Foto nga takimi

 

Copyright © 2023 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.