FE.jpeg

Fakulteti i Ekonomisë organizoi më 28 Prill 2022 Panairin e Punës, një aktivitet i rëndësishëm në fushën e tregut të punës. Ky aktivitet bëri së bashku biznesin dhe studentët e FEUT, të interesuar për t’u punësuar dhe për të kryer internship-et pranë kompanive pjesëmarrëse.

Prezentë në këtë panair ishin Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule; Kryetari i Bashkisë Tiranës, Z. Erion Veliaj; Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule, i cili bëri hapjen zyrtare të Panairit të Punës, u shpreh se pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë dhe tërmetit, Fakulteti i Ekonomisë i rikthehet aktivitetit të natyrshëm që organizon çdo vit me prezencën e më shumë se 60 kompanive pjesëmarrëse për mundësi punësimi, internship-e, trajnime dhe bursa studimi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku, e cila vlerësoi shumë këtë event, premtoi më shumë projekte për angazhimin e studentëve, duke nisur me projektin e ri për rehabilitimin e 19 ndërtesave në konviktet e Qyteti Studenti.

Për Kryetarin e Bashkisë, Z. Erion Veliaj, një mënyrë për të treguar historinë e suksesit të një fakulteti është punësimi, ku 90% e studentëve të Fakultetit të Ekonomisë punësohen që vitin e parë. Kjo është historia e suksesit dhe model për fakultetet e tjera.

Nga Panairi i Punës, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha deklaroi se të gjithë fushat që Universiteti i Tiranës ka, janë fusha që studentët punësohen dhe japin kontributin e tyre për shoqërinë. Për këtë arsye po i kushtohet vëmendje e rëndësishme kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimit dhe bërjes së programeve sa më afër interesave dhe zhvillimit të shoqërisë.

Gjatë Panairit të Punës iu dha mundësia më shumë se 60 kompanive të sektorit bankar, konsulencës, turizmit, prodhimit, telekomunikacionit, etj., të prezantonin mundësitë që ofronin secili prej tyre për studentët e FEUT. Kjo traditë e sukseshme e organizimit të Panairit vazhdon rrugëtimin e saj duke krijuar urë komunikimi dhe lidhëse midis punëdhënësve dhe studentëve të FEUT. Për më tepër, ka shërbyer si një mundësi nxitëse për ndërtimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Fakultetit të Ekonomisë dhe aktorëve të biznesit.

Foto nga aktiviteti

Video nga aktiviteti

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.