Tiranë, Shqipëri (14 Korrik 2021) –Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës formalizoi vazhdimësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit me Bankën Kombëtare Tregtare  në ambientet e reja të godinës së rikonstrukturuar.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar ishin përfaqësues nga Dekanati i FE, studentë të FE përfaqësues në Komisionet e Përhershme të Senatit UT, përfaqësues nga BKT, etj. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule u shpreh i lumtur për realizimin e marrëveshjes duke theksuar se BKT është një nga institucionet më prestigjioze në sektorin bankar, falë edhe drejtimit të Drejtorit të Përgjithshëm të BKT z. Seyhan Pencabligil.

Ai shtoi më tej se ky bashkëpunim, 15 vite nga marrëveshja e parë e realizuar mes dy institucioneve, është me interes reciprok për të këmbyer me njëri-tjetrin të mirat e tyre. 

“Studentët tanë ekselentë do të kenë mundësi për internship dhe suporte të ndryshme nga BKT. Me interes dypalësh janë linjat e kërkimit që ka banka dhe stafi ynë akademik. Ne në Shtator rihapim doktoraturat dhe fusha bankare është ajo që kemi si prioritet studimi”, nënvizoi Prof. Kule.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtari i Bordit, z. Seyhan Pencablıgil, u shpreh se nëse BKT është bankë e suksesshme sot, kjo është dhe falë Fakultetit të Ekonomisë, pasi pjesa më e madhe e të punësuarve janë nga ky institucion.

“Universiteti i Tiranës është universiteti më i mirë ndër vite. Që herën e parë që kam ardhur në Shqipëri, 21 vite më parë, ai ishte më i miri dhe vijon ende të mbetet i tillë, falë Prof. Dr. Kule dhe drejtuesve të tjerë ndër vite. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tej për të nxjerrë në pah studentët më të shkëlqyer, të cilët do të jenë profesionistët e së ardhmes”, përfundoi fjalën e tij z. Seyhan.

Marrëveshja e FEUT dhe BKT konsiston në:

  • Mbështetjen për realizimin e praktikave profesionale.
  • Mbështetjen me bursë nga ana e BKT-së, gjatë ndjekjes së praktikave profesionale për studentët e përzgjedhur për të ndjekur Akademinë “FinTech” pranë BKT-së, me qëllim përgatitjen e tyre me njohuri për tregun e punës.
  • Bashkëpunim në identifikimin dhe rekrutimin e studentëve që përgatit Fakulteti i Ekonomisë UT, duke plotësuar nevojat e Burimeve Njerëzore të BKT-së, për punësim dhe praktikë mësimore.
  • Informim reciprok mbi shkëmbimin e informacionit, i cili ka lidhje me veprimtarinë e përbashkët të këtyre dy institucioneve si dhe promovimi i dyanshëm i aktiviteteve të përbashkëta.
  • Bashkëpunim në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, duke mundësuar shkëmbimin e ligjëruesve nga të dyja palët.

BKT është pjesë e Çalik Holding dhe drejtuesi i Grupit z. Ahmet Çalik në vitin 2014-të është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Senati i Universitetit të Tiranës, me propozim të Fakultetit të Ekonomisë me motivacionin: “Për kontribut të veçantë dhe këmbëngulje të pashoqë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare si dhe për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të universiteteve në Shqipëri.

Marrëveshja FEUT-BKT 2006

Marrëveshja FEUT-BKT 2021

marrreveshja_8.png

 

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.