Të dashur kolegë,
Të dashur studentë,
Të dashur miq të Fakultetit të Ekonomisë,
Me hidhërim të thellë ju njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të pedagoges sonë Prof. Dr. Vjollca Karapici sot më 13 Mars 2021!
Pabesia e sëmundjes që po gjunjëzon mbarë botën preku edhe familjen Karapici duke marrë njëkohësisht të dy bashkëshortët, me gjithë përpjekjet maksimale të djalit Elton dhe dy vajzave Adela dhe Amanda.
U lind më 5 nëntor 1952 në një familje me tradita të qytetit të Tiranës.
Në periudhën 1971 – 1975 kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë duke u diplomuar shkëlqyeshëm si Ekonomist Kontabël.
Në vitin 1996 fiton gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike” pas një numri të lartë të kualifikimeve në Universitete të ndryshme në Rusi, Lituani, SHBA, Greqi, Itali, Gjermani.
Në vitin 1999 fiton titullin profesional “Kontabilist i Miratuar” si dhe titullin “Profesor i Asociuar” dhënë nga Komiteti i Shkencës e Teknologjisë, Shqipëri.
Në vitin 2011 fiton titullin “Prof.Dr.” dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë, pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Shqipëri.
Në vitin 2017 dekorohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me medaljen “Naim Frashëri” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të vyer dhe punës së palodhur në fushën e kontabilitetit e të financave, duke u dalluar për profesionalizmin e lartë dhe ndihmesën e saj të çmuar në modernizimin dhe suksesin institucional të auditimit të brendshëm”.
Prej vitit 1977 Pedagoge në Katedrën e Kontabilitetit, Departamentin e Financë – Kontabilitetit. Fakulteti i Ekonomisë, U.T. Aktualisht lektore në lëndët “Analiza e Pasqyrave Financiare”, “Auditim dhe SNA” , “ Kontrolli dhe Auditimi i Brendshëm” në nivelin master dhe shkolla e doktoratures.
Gjatë kësaj periudhe dyzet e pesë vjeçare ka përmbushur me devotshmëri e përkushtim detyrat si Përgjegjëse e Seksionit të Kontabilitetit të Drejtimit dhe Analizës Financiare, Anëtare e Këshillit të Botimeve të Fakultetit të Ekonomisë, Zv. Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Kryetare e Komitetit të Kontrollit të disa bankave të nivelit të dytë, Anëtare e Komitetit të Auditit të Brendshëm, Ministria e Financës, Anëtare e Kryesisë të Shoqatës së Kontabilistëve të Shqipërisë dhe Anëtare e Bordit të AIIA, Zv. Presidente e Shoqatës së Kontabilistëve të Shqipërisë, Kryetare e Komisionit të Çertifikimit dhe Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm, Zëvendës kryetare e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit të Shqipërisë, Eksperte e Jashtme në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Anëtare e Bordit të Regjistrit Shqiptar të Titujve.
Autore e teksteve dhe monografi mbi Auditimin, Analizën e Pasqyrave Financiare dhe Kontabilitetit. Autore e bashkëautore në qindra artikuj shkencorë të prezantuar e botuar në Konferenca Kombëtare e ndërkombëtare. Pjesëmarrje e lartë dhe tepër e vyer në studime e grupe pune.
Të panumërta Udhëheqjet shkencore duke kontribuar në edukimin dhe formimin e studentëve në nivel universitar e pasuniversitar.
Të shumtë janë studentët e kolegët që e kanë prekur nga afër punën plotë përkushtim dhe devotshmëri, komunikimin e sinqertë dhe tepër njërëzor që Prof.Vjollca kishte me të gjithë.
Ndarja nga jeta e Prof.Dr. Vjollca Karapici është një humbje e madhe dhe e thellë për familjarët e të afërmit, për kolegët e miqtë, për botën akademike dhe elitën intelektuale por edhe për qytetin e Tiranës pasi e tillë ishte Vjollca, një qytetare e denjë e qytetit të saj që e deshi aq shumë.
Lamtumirë e shtrenjta Vjollca!
Lutemi që trupi dhe shpirti Yt të prehet në paqe!
E paharruar për ne!
Në shenjë nderimi dhe respekti nga Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.