Sa e vështirë është të shkruash lajmin e ndarjes nga jeta të Prof. Luigj Vaso, profesori model i përkushtimit dhe korektësisë në punë, profesori i vlerave të larta profesionale dhe njerëzore.
Prof. Luigj Vaso ka mbaruar studimet e larta në Degën e Financës në Universitetin e Tiranës në vitin 1959 me rezultate të larta. Pas fakultetit ka punuar si drejtor i Financës në Fabrikën e Bakrit në Rubik. Duke filluar nga viti 1963 ka punuar si specialist i Kontabilitetit dhe Financës në Ministrinë e Industrisë. Në vitin 1976 ka filluar punën në Fakultetin e Ekonomisë në katedrën e Kontabilitetit. Profesor Luigji ka fituar gradën shkencore “Doktor i shkencave”. Në periudhën 1985 deri 1988 ka qenë përgjegjës i katedrës së Kontabilitetit. Nga viti 1988 deri 1992 ka qenë zëvendësdekan i Fakultetit të Ekonomisë. Nga viti 1993 ai doli në pension, por nuk e ndërpreu aktivitetin e tij si kontabilist dhe financier. Nga viti 1997 deri në vitin 2018 ka punuar në degën e shoqërisë Ernest & Yaang në Tiranë ku ka kryer detyrën e menaxherit të çështjeve fiskale dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Megjithë angazhimet në fushën e profesionit, asnjëherë nuk iu pakësua dëshira për të qenë në auditor, për të përhapur njohuritë në fushën e kontabilitetit, prandaj edhe në periudhën 2011-2017 ka qenë pjesë e stafit akademik të universitetit jopublik “Logos” në Tiranë, për të zhvilluar mësim në lëndët e Kontabilitetit.
Profesor Luigji është dalluar si një pedagog korekt, serioz dhe i apasionuar. Ai është autor dhe bashkëautor i disa teksteve të Kontabilitetit të kostos, Kontabilitetit të ndërmarjeve, Kontabilitetit tregtar, etj. Ai është autor dhe bashkëautori i shumë artikujve shkencor si dhe ka marrë pjesë me referime në shume konferenca shkencore. Profesor Luigji karakterizohej nga një seriozitet i spikatur dhe marrëdhenie shumë korreke me kolegët dhe studentët, ishte një drejtues dhe administrator shumë i aftë dhe i saktë. Edhe në marrëdhënet e punës pranë E&Y është dalluar për një punë cilësore dhe korrekte duke u dalluar për rezultate dhe punë shumë cilësore. Profesor Luigji ka qenë i pranishëm gjithmonë dhe në aktivitetet sociale dhe shkencore që ka organizuar Departamenti i Kontabiltietit i FEUT.
Profesori në jetën familjare është karakterizuar si një prind i dashur dhe i kujdesshëm duke rritur dhe edukuar dy fëmijë, një djalë e një vajzë të shkolluar e të përgatitur për të kontribuar në specialitetin e studimeve të tyre.
Të gjithë ne, kolegët e kontabilitetit dhe të fakultetit dhe ish studentët e tij, do të kujtojnë gjithmonë Profesor Luigjin si një koleg dhe mik e shok të dashur, korrekt dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe mbështetut të gjithë kolegët. Largimi nga jeta i profesor Luigjit ka krijuar një bashllëk shpirtëror dhe fizik per të gjithë të afërmit dhe kolegët dhe ata që e kanë njohur dhe kanë punuar me të.
U prehsh në paqe i dashur profesor Luigji!