Më 24 janar 2024, në kuadër të përkujtimit të ditëlindjes së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës organizoi një aktivitet për të nderuar figurën e heroit tonë kombëtar. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe një të ftuari të veçantë, Z. Evarist Beqiri, autor i librit "Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit".
Gjatë këtij aktiviteti, studentët patën mundësinë të thellonin njohuritë mbi jetën dhe veprën e Ismail Qemalit, duke u ndalur jo vetëm në rolin e tij të pazëvendësueshëm në historinë e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në aftësitë dhe stilin e tij unik të lidershipit. Libri i Z. Beqiri trajton aspekte të panjohura të personalitetit dhe qasjes udhëheqëse të Ismail Qemalit, duke e paraqitur atë si një model të vërtetë frymëzimi jo vetëm për kohën e tij, por edhe për brezat e rinj.
Aktiviteti u konceptua si një bashkëbisedim i hapur mes autorit dhe studentëve. Z. Beqiri ndau histori dhe fakte të veçanta rreth përpjekjeve të Ismail Qemalit për të udhëhequr kombin shqiptar drejt pavarësisë dhe stabilitetit kombëtar.