Në një atmosferë emocionuese dhe plot gëzim, të mërkurën, më 23 Janar 2025, u mbajt Ceremonia e Diplomimit për studentët e Fakultetit të Ekonomisë. Ky moment i rëndësishëm shënon fundin e një kapitulli përkushtimi, sfide dhe rritjeje për studentët, dhe fillimin e një faze të re në jetën e tyre profesionale dhe akademike.
Fjalën hapëse e mbajti Prof. Dr. Dhori Kule, i cili shprehu vlerësim për vullnetin, përgjegjësinë dhe shkallën e lartë të interesimit për të përvetësuar sa më mirë dijet e ofruara duke kurorëzuar punën disa vjeçare me sfida të jetës së bukur studentore dhe të pakrahasueshme. Ai iu uroi të diplomuarve suksese në karrierën e tyre profesionale. Prof. Dr. Dhori Kule u shpreh në lidhje me rëndësinë e simbolikës së ceremonisë së diplomimit si një ngjarje shumë e rëndësishme për studentët dhe universitetet, ku Fakulteti i Ekonomisë ka qenë fakulteti i parë që ka zhvilluar ceremoni diplomimi në Shqipëri.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, përshëndeti me krenari studentët duke i përgëzuar për përkushtimin dhe arritjet e tyre. Ai uroi familjet dhe të gjithë ata që i kanë mbështetur në këtë udhëtim. Ai theksoi se diplomimi nuk është vetëm fundi i një kapitulli por edhe fillimi i një kapitulli të ri drejt rritjes dhe përsosjes personale. Ai u shpreh se Fakulteti i Ekonomisë është një nga kontribuesit kryesor të përgatitjes së specialistëve në fushën e ekonomisë.
Zv. Rektore e Universtitetit të Tiranës, Prof. Dr. Gentjana Sharku gjithashtu mbajti një fjalim inspirues, ku vlerësoi arritjet e studentëve dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti të shënuar, kur tashmë janë të përgatitur për sfidat dhe mundësitë që kanë përpara. Ajo siguroi të diplomuarit se diploma që marrin nga Fakulteti i Ekonomisë do ti drejtojë drejt suksesit. Një urim të veçantë i dedikoi familjeve të studentëve dhe stafit akademik.
Zv. Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, znj. Ana Kapaj, përshëndeti ceremoninë duke u shprehur se diplomimi është një hap i ri drejt mundësive të pafundme që ofron jeta profesionale. Ajo u shpreh se diplomimi është një moment i shkëlqyer për të reflektuar mbi përpjekjet e bëra, por edhe për të shtruar hapa të rinj drejt suksesit, duke theksuar rëndësinë e të diplomuarve pranë Fakultetit të Ekonomisë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Një moment veçanërisht emocionues ishte kur studentët ngjitën podiumin për të marrë fjalën. Me falënderime të sinqerta dhe plot emocion, ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë ndaj stafit pedagogjik, për përkushtimin, mbështetjen dhe udhëzimet që ata kanë ofruar gjatë viteve të studimeve.
Urime dhe suksese të pafundme për të gjithë diplomantët tanë!
Video nga Ceremonia: https://www.facebook.com/share/v/12F2yi8GmAB/?mibextid=wwXIfr