Në datat 21 dhe 22 maj 2024, u zhvillua në qytetin e Beratit, në formë hibride, Konferenca Ndërkombëtare e shkollave të doktoraturave në ekonomi, organizuar nga Universiteti i Poitiers, Laboratori i Kërkimeve dhe Studimeve në Ekonomi të Universitetit të Poitiers, Francë, nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Tiranës, si dhe Bashkia e Beratit. Një konferencë e veçantë në llojin e saj, me pjesmarrjen e mbi 30 doktorantëve nga të dy universitetet, mbështetur nga drejtuesit e tyre dhe me përkrahjen e dy fakulteteve dhe të Laboratorit (Qëndrës së Kërkimeve) CEREGE. Konferenca filloi me një seancë plenare, ku përshëndetën Prof.Dr. Dhori Kule, Dekan i FEUT, Prof.Dr. Artan Hoxha, Rektor i UT, Kryetari Bashkisë Berat, z.Ervin Demo.
Në sesionin e dytë plenar u diskutua për etikën në kërkimin shkencor, për fushat e kërkimit, projektet e kërkimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, për drejtimin e kërkimit shkencor dhe mbështetjen institucionale të kërkuesve të rinj. Kjo seancë plenare, u drejtua nga Prof.Dr.Asoc Bernard Dosti, Prof.Dr Mimoza Kasimati, Profesor Andre Le ROUX, dhe Profesor Boqi ZHANG.
Pjesëmarrësit në konferencë vijuan prezantimet, diskutimet, debatet, rahjet e mendimeve alternative të ideve dhe përfundimeve nga kërkimet e tyre, në katër sesione paralele, për: Menaxhimin dhe Marketingun, Kontabilitetin dhe Financën, për Shkencat Ekonomike dhe Financat Publike si dhe për Informatikën e Aplikuar, statistikën, Matematikën në Ekonomi, etj. Përveç drejtuesve të FEUT, dhe të dekanëve të fakulteteve të UT, mori pjesë edhe një grup prej shtatë profesorë të Institutit të Administrimit të Ndërmarrjeve të Universitetit të Poitiers.
Në fund të punimeve të ditës së dytë u zhvillua seanca plenare e konkluzioneve të konferencës. Në kete seancë profesorët Bernard Dosti, Thomas Stenger dhe Sherif Bundo, e vunë theksin te arritjet e konferencës, rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, nevojën e vazhdimit të kësaj fryme, te mbështetja e fortë institucionale për kërkuesit e rinj, për fushat e reja të bashkëpunimit, te kompleksiteti i temave të kërkimit në ekonomi sot, ndryshe nga dekada të shkuara, etj. Palët e kanë lenë të hapur mundësinë e aktiviteteve të tjera të ngjashme në të ardhmen.