WhatsApp_Image_2023-12-18_at_8.56.03_PM.jpeg

Në datat 15-16 Dhjetor 2023, u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, “Economic Restructuring for Sustainable Development. Impact of Tourism in this Process”

Konferenca u zhvillua në forme hibride. Gjithashtu, seanca e pare plenare u transmetua në Live Stream, në Faqen Zyrtare të Feut.

Fjalën hapëse e mbajti Prof. Dr. Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Prof. Dr. Dhori Kule, i cili i  falenderoi të gjithë për pjesëmarrjen në konferencë, të kthyer tashmë në një traditë për Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Kërkimi shkencor është me ritëm të lartë në fakultetin tonë, me angazhimin e 73 pedagogëve të kategorisë profesorë, ndërkohë ka pasur edhe një angazhim maksimal nga doktorantët e brendshëm dhe të jashtëm të cilët japin kontributin e tyre për këtë temë kaq aktuale. Prof. Dr Dhori Kule shprehu bindjen se konkluzionet e konferencës do të jenë të vlefshme për synimin që kjo konferencë ka.

Prof. Dr. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës, tha në fjalën e tij, se tema e marrë në shqyrtim nga Fakulteti i Ekonomisë është një temë mjaft interesante, e cila është dhe kryefjala e këtij viti, Turizmi. Një falenderim i veçantë shkon për Fakultetin e Ekonomisë për traditën e krijuar dhe për atë emër të mirë që i ka dhënë arsimit të lartë në përgjithësi dhe Universitetit të Tiranës në veçanti.

Në një lidhje online ishte dhe Honoris Causa e Fakultetit të Ekonomisë, znj.Federica Mogherini e cila u shpreh shumë e lumtur që ishte pjesë e konferencës dhe falenderuese për ftesën.

Z.Genc Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi për ftesën dhe mundësinë për të përshëndetur punimet e kësaj konference. Z. Sejko theksoi se kënaqësia është e dyfishtë, si ish student i Fakultetit të Ekonomisë. Ai tha se ky fakultet ka qënë dhe mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit në vend. Fakulteti i Ekonomisë ka furnizuar vendin me një armatë praktikantësh të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmuar në procesin, transformimit dhe zhvillimin e vendit.

Prof. Asoc. Dr. Ervin Demo, Kryetar i Bashkisë Berat, i cili gjithashtu ishte mjaft falenderues ndaj ftesës për të qënë pjesë e konferencës. Shprehu idetë mbi nevojat dhe sfidat e Turizmit, të grumbulluara mbi bazën e një eksperience të frytshme ne Berat.

Z. Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës Hoteleri Turizmit, falenderoi për ftesën dhe në emër të shoqatës Shqiptare të Turizmit shprehu kënaqësinë dhe nderin e veçantë të jetë pjesë e panelit në këtë konferencë. Gjithashtu përgëzoi Fakultetin e Ekonomisë dhe Universitetin e Tiranës për këtë organizim dhe trajtim të një teme kaq të rëndësishme siç është Turizmi.

Znj.Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për këtë konferencë e cila lidh tregun e punës, ekonominë si dhe zhvillimin e vendit me një prej sektorëve më në zë që është ai i turizmit. Znj. Ogerta tha gjithashtu që rezultatet e kësaj konference të mund të përkthehen në rekomandime për hartimin e dokumentit të politikave të strategjisë së arsimit të lartë.

Në ditën e dytë, konferenca zhvilloi punimet përkatësisht në dy orare, me nga 11 seanca paralele. Zhvillimi konferencës në formë hibride, i dha mundësinë të gjithë pjesëmarrësve të prezantonin punimet e tyre shkencore të realizuar nëpërmjet sallave virtuale në platformën microsoft teams.

Ndikimi i politikave fiskale e monetare në turizëm, lidhja e turizmit me kursin e këmbimit, politikat publike, ndikimi i sektorit të turizmit në punësim dhe reduktimin e varfërisë ishin disa nga temat me karakter makroekonomik të trajtuara në Departamentin e Ekonomiksit. Lidhja e ndërsjelltë midis turizmit dhe migrimit, turizmit dhe mjedisit, turizmit dhe energjisë së rinovueshme dhe turizmit dhe investimeve të huaja direkte përbënin disa nga modelet e paraqitura dhe sugjeruara për një zhvillim të qëndrueshëm. Një evidencë praktike e këtyre modeleve ishte edhe reflektimi ndaj projekteve të zonës së Mesdheut.

Në Departamentin e Kontabilitetit diskutimet u përqendruan në analizimin e faktorëve që kanë ndikuar në evazionin fiskal në sektorin e turizmit. Gjithashtu zhvillimet në kontabilitetin publik, ndikimi i inteligjencës artificiale në parimet e kontabilitetit dhe praktikat mbi përgjegjësinë sociale të korporatave në Shqipëri ishin disa nga çështjet e tjera të trajtuara.

Në Departamentin e Financës u hodh dritë mbi praktikat më të mira të sugjeruara nga Bashkimi Evropian për të pasur një turizëm të qëndrueshëm si edhe kontributin e turizmit në përfitimet e sektorit bankar dhe në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Identifikimi i faktorëve që ndikojnë  në sipërmarrjet e agroturizmit, ekonomia e gjelbër dhe rëndësia e saj si edhe ristrukturimi i SME-ve në kontekstin e mënyrave të reja të financimit dhe teknologjisë, për tu përballuar me nevojat e tregut ishin disa nga përfundimet e nxjerra nga këto diskutime.

Në Departamentin e Menaxhimit diskutimet u orientuan drejt teknikave dhe metodave kërkimore për të siguruar një shërbim më cilësor në sektorin e turizmit duke përfshirë procesin e inovacionit, mundësitë e reja të punësimit, sipërmarrjet familjare, agroturizmin dhe format e reja si “Turizmi në Natyrë”, “Turizmi i Aventurës” dhe “Smart Turism”. Me interes ishte edhe krahasimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi kapacitetet pritëse e parë nga këndvështrimi i cilësisë menaxheriale,  roli i universiteteve dhe programeve si ERASMUS+ në edukimin për zhvillim të qëndrueshëm si dhe teknika për të nxitur dialogun e heshtur të qytetarëve në qytetet turistike.

Dimensionet e ndryshme të turizmit si turizmi kulturor, aktivitetet në natyrë, nomadët digjitalë, turizmi dentar dhe kontributi i tyre në qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit u trajtuan në Departamentin e Marketingut. Rëndësia e turizmit në rimëkëmbjen post pandemike, krahasimet midis vendeve të rajonit në lidhje me menaxhimin e destinacioneve turistike dhe ndikimi i rrjeteve sociale në publicitetin e destinacioneve të ndryshme, përfshi edhe vendin tonë ishin disa nga çështjet e lidhura në mënyrë direkte me aktualitetin.

Përdorimi i Inovacionit dhe teknologjisë në sektorin e turizmit dhe përdorimi i metodave sasiore për të vlerësuar ndikimin e turizmit në ekonomi, por edhe të faktorëve pengues dhe favorizues ndaj vetë turizmit ishte në thelb të diskutimeve në Departamentin e Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar. Mund të përmendim sigurinë në shërbimet elektronike, sigurinë online, rolin e inteligjencës artificiale ne sigurinë kibernetike, inovacionin digjital, si disa nga teknikat të cilat kanë një ndikim gjithëpërfshirës në ristrukturimin e ekonomisë.

Foto Dita Parë

Foto Dita Dytë

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.