Workshop1.jpeg

Në datën 15.11.2023, pranë ambienteve të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, u organizua një workshop me titull "Përcaktuesit e Inovacionit të Gjelbër në Kontekstin Cilësor," i mbështetur nga Programi "UT Ekselencë, Inovacion dhe Kërkim." Ky workshop u zhvillua në kuadër të projektit "Përcaktuesit e Inovacioneve të Gjelbra në Firmat Shqiptare" dhe u drejtua nga një grup pedagogësh të Departamentit të Ekonomiksit.

Përmes diskutimeve interaktive me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektori i biznesit, qeveria qendrore dhe lokale, bankat dhe akademia, workshop-i identifikoi sektorët potencialë, llojet e inovacioneve të gjelbra të ndërmara nga ndërmarrjet e vendit, si dhe faktorët nxitës dhe pengesat që hasen në këtë drejtim.

Gjithë aktorët e sistemit të inovacionit, duke koordinuar kapacitetet, ekspertizën dhe burimet e tyre, mund të kontribuojnë në një tranzicion të gjelbër, drejt një rritjeje gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi të qëndrueshëm. Një prej aktorëve kryesorë në promovimin e inovacioneve të gjelbra është edhe qeveria qendrore dhe lokale, përmes legjislacionit, rregullimeve, mbështetjes financiare, dhe lehtësirave fiskale, si dhe përmes prokurimit publik të orientuar drejt gjelbërimit.

Ekspertiza e përfaqësuesve të Bankës së Shqipërisë dhe ProCredit Bank në lidhje me inovacionet e gjelbra në kontekstin e legjislacionit dhe rregullores së Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në Shqipëri, sidomos në sektorët me potencial si energjia e rinovueshme, bujqësia apo turizmi, si dhe financimi i projekteve të gjelbra nga bankat e nivelit të dytë, u prit me kënaqësi nga përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe akademikëve.

Një tjetër aktor i rëndësishëm në nxitjen e inovacioneve të gjelbra dhe implementimin e praktikave të qëndrueshme është AADF ( Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ). Pjesëmarrja e biznesit, qeverisjes qendrore dhe lokale, institucioneve që merren me mbështetjen e Sipërmarrjeve të Vogla dhe Mesme (SME), si dhe sektorit bankar, ishte një vlerë shtuar në arritjen e qëllimit të workshop-it dhe në ndërtimin e rrjeteve të bashkëpunimit në këtë sferë.

Foto nga Aktiviteti

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.