Të dashur studentë, të nderuar kolegë dhe staf i Fakultetit të Ekonomisë-UT, në radhë të parë Ju uroj shëndet për Ju dhe familjarët Tuaj. Fillimi i vitit të ri akademik 2023-2024, është një ditë shumë e veçantë për të gjithë ne, por akoma më shumë për ju Maturantët, që zgjodhët të studioni në Fakultetin e Ekonomisë-UT. Ju sigurojmë që keni bërë një zgjedhje shumë të mirë. Suksesi juaj është i garantuar nga kurrikulat dhe programet mësimore. Drejtuesit e fakultetit, stafi akademik, stafi ndihmës akademik dhe administrativ, infrastruktura tërësisht bashkëkohore janë çelësi i këtij suksesi në rrugëtimin e studimeve në FE-UT. Meritojnë falenderim të veçantë dhe mirënjohje të gjitha strukturat tona akademike dhe administrative që janë të angazhuar me përkushtim dhe kanë marrë të gjitha masat për të realizuar një proces mësimor cilësor. Përfundimi i studimeve dhe marrja e një diplome nga FE-UT, ju krijon mundësi punësimi në tregun vendas dhe atë të huaj. Praktikat e përvitshme tregojnë se të diplomuarit në fakultetin tonë janë ndër më të kërkuarit si në sektorin privat ashtu dhe në atë publik. Një pjesë e madhe e studentëve tanë aktualisht kanë arritur në nivelet më të larta drejtuese në institucionet dhe kompanitë ku janë të punësuar. Gjithashtu, shumë prej tyre janë përshtatur shumë mirë edhe me tregun ndërkombëtar të punës.
Viti akademik 2023-2024 është i pesti vit akademik që Fakulteti i Ekonomisë-UT e ofron mësimdhënien në Gjuhën Angleze, në të paktën tre degë të ciklit të studimeve Bachelor. Në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit por jo vetëm, tashmë kjo si një traditë e përvitshme e FE janë shkëmbimet e studentëve dhe stafit nga projektet Erasmus+, të cilët mundësojnë zhvillimin e semestrave studimorë jashtë vendit sikurse edhe studentë të huaj që vijnë në vendin tonë. Me shumë sukses vijon aplikimi dhe realizimi i projekteve të ndryshme të fituara kombëtare e ndërkombëtare.
Në Fakultetin tonë aktualisht numërohen 73 pedagogë nga kategoria Profesorë dhe 51 Doktorë Shkencash të cilët janë staf akademik i brendshëm. Gjithashtu janë në procesin përmbyllës në këtë vit akademik dhe 47 pedagogë doktorantë të rinj pjesë e stafit tonë efektiv. Ky grup të cilët sëbashku me drejtuesit e tyre shkencorë, përbëjnë një potencial në kërkimin shkencor në Fakultetin e Ekonomisë-UT dhe njëherazi japin një kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit duke i shërbyer me kërkime e projekte konkrete sipas nevojave të institucioneve publike e private.
Duke Ju uruar suksese dhe një vit të mbarë akademik për të gjithë ne,
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Prof. Dr. Dhori Kule