3.jpeg

Më datë 27.09.2023, pranë ambineteve të Fakultetit të Ekonomisë u organizua workshop-i “Investimet në energji të gjelbër”, ku morën pjesë dekani i fakultetit Prof. Dr. Dhori Kule, zv.dekanët Prof. Dr. Fatmir Memaj, Prof. Dr. Mimoza Kasimati, Prof. Asoc. Dr. Etleva Bajrami dhe pedagogët Prof. Dr. Dorina Kripa, Dr. Dorina Janku, Dr. Brunilda Leli, Dr. Eni Numani dhe Dr. Mariola Kapidani. Gjithashtu pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të institucioneve publike si drejtoresha e AKKSHI, Znj. Mirela Muca, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Z. Andi Spahiu, përfaqësuese e AKBN znj.Kristi Theodhorjani. Nga sektori privat dhe ai bankar morën pjesë Z. Zak Topuzi përfaqësues i Hotel Mondial, Z. Xhonatan Hoxha përfaqësues i Vega Solar sh.p.k, Znj. Mei Mahila përfaqësuesja e Deloitte, Znj. Elona Rustemi dhe Znj. Elsa Lila përfaqësuese nga Intesa Sanpaolo Bank Albania. Si përfaqesuese e UNDP mori pjesë në takim edhe Znj. Drilona Toslluku.

Dekani i fakultetit e hapi fjalën e tij duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë takim.

Prof. Dr. Dhori Kule, u shpreh gjithashtu se Universiteti i Tiranës, duke formalizuar marrëveshje të ndryshme me struktura publike dhe institucione jo publike, po ndjek një trend, shumë te rëndësishëm, atë të bashkëpunimit. Në këtë takim do të diskutohet produkti i kësaj pune në bashkëpunim midis aktorëve pjesëmarrës.

Në lidhje me workshop-in që zhvillohet dhe është pjesë e financimit por dhe politikave që qeveria shqiptare ka për kërkimin shkencor të universiteteve të ndryshme, vlerëson dhe shprehet falenderues ndaj punës që stafi i fakultetit, veçanërisht departamenti i Financës me ekipet përkatëse ka bërë në projektet e fituara nga shpallja e AKKSHI.

Dekani i fakultetit të Ekonomisë vë në dukje rëndësinë që ka bashkëpunimi, kërkimi dhe puna akademike si një nga faktorët të cilët janë në gjendje të parandalojnë problematika te mundshme nga fusha të ndryshme duke mos i lënë këto problematika të bëhen pengesë për synimet dhe objektivat e projekteve të aktorëve pjesëmarrës. Në këtë mënyrë rezultati do të jetë pozitiv për të gjitha palët. Prof. Dhori Kule së pari u ndal duke vënë në dukje se Shqipëria në projektet nderkombëtare ka një rritje të numrit të projekteve dhe masës së financimit. Kjo mund të përkthehet si një tregues pozitiv gjithashtu i trendit që ka vendi ynë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Së dyti, projektet do të vijnë si kërkesë e sipërmarrjes dhe e institucioneve të ndryshme, pra nga ata aktorë që kanë një rol kyç në këto projekte.

Dhe së treti, për sa i përket vlerësimit të projekteve, zgjidhja më e mirë dhe efektive do te ishte vlerësimi institucional përball atij personal. Një vlerësim i tillë tregon një përgjegjësi me të madhe duke shmangur kështu subjektivitetin. 

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, u përfaqësua në këtë takim nga drejtoresha znj. Mirela Muça e cila theksoi rritjen e buxhetit të AKKSHI-t në drejtim të projekteve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të universiteteve me biznese dhe institucione të ndryshme publike ose jopublike. Znj Muca u shpreh për rëndësisinë e bashkëpunimit me partnerët tanë në vendet e BE-së.

Koordinatorja e projektit, Prof. Dr. Dorina Kripa shprehu falenderimet ndaj dekanit të Fakultetit të Ekonomisë për mbështetjen e tij ndaj stafit akademik për kërkimin shkencor, si dhe ndaj drejtorisë së AKKSHI. Znj. Kripa theksoi se energjia e gjelber është një prioritet jo vetëm i qeverisë, por edhe i sistemit bankar përmes financimit të gjelbër. Gjithashtu, biznesi për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe konkurrueshmërise, po kërkon zgjidhje për të mbuluar qoftë edhe pjesërisht nevojat e tyre me energji diellore.

Në vijimësi Dr. Brunilda Neli prezantoi projektin duke u ndalur tek synimi kryesor i tij: "Vlerësimi i efektivitetit të investimeve në energji të gjelbër me përqasje në objektivat e zhvillimit të qendrueshem, si një kontribut i vlefshëm për politikbërësit dhe vetë bizneset”.

Më tej, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Andi Spahiu cilësoi se qeveria dhe ministria përkatëse kanë marrë masa për nxitjen dhe mbështetjen e biznesit në investime në fushën e energjisë së gjelbër.

Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, përfaësuesja Znj. Kristi Thodhorjani diskutoi në lidhje me riskun që përballin bizneset të cilët investojnë në panele fotovoltaike.

Përsa i përket sektorit privat, Z. Xhonatan Hoxha, përfaqësues i Vega Solar sh.p.k, informoi të pranishmit rreth situatës aktuale dhe kërkesave në treg dhe nevojës për financim.  

Përfaqësues të tjerë të biznesit diskutuan lidhur me:

  • Zhvillimet e kuadrit rregullator në vend, strategjitë dhe politikat për nxitjen e energjisë së gjelbër,
  • Financimi i energjisë diellore, zhvillimet e tregut financiar në kreditimin e gjelbër,
  • Investimi në projekte të energjisë diellore, sfidat e biznesit dhe përfitueshmëria,
  • Projektet mbështetëse në fushën e energjisë së gjelbër, promovimi i praktikave më të mira.

Ekspertët e fushës theksuan rëndësinë e nxitjes së studimeve në nivel akademik dhe bashkërendimin e veprimeve të të gjithë aktorëve të përfshirë: sektor privat – sektor publik – universitet si një domosdoshmëri në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e energjitikës.

Foto nga aktiviteti

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.