0._Me_dekanin.jpeg

Në periudhën Prill-Maj 2023, në vijim të marrëdhënieve dypalëshe të suksesshme akademike mes Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe Universitetit Linnaeus Suedi, u zhvillua programi i mobilitetit “Erasmus+ staff mobility”, i cili mundësoi pasurimin e përvojave kërkimore të stafit akademik në fazë doktorature, në Suedi.

Programi krijoi hapësira bashkëpunimi në drejtim të fushave të doktoraturës së grupit të angazhuar të pedagogëve (11) me kohë të plotë, të cilët, nën frymën e vlerave akademike, përparimit të vazhdueshëm dhe përmbushjes së qëllimeve afatshkurtra e afatgjata, personale e të grupit, formësuan edhe ide konkrete për ecurinë e studimeve të tyre.

Objektivat e mobilitetit u mbështetën në drejtim të fuqizimit dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Linneaus, mbështetjes së procesit të “Internationalization at Home”, përfitimit të shkëmbimit të përvojave ndërkulturore, forcimit të marrëdhënieve mes rrjeteve akademike për aktivitete kërkimi të përbashkëta dhe ndarjes së njohurive në mjediset respektive.

Grupi i pedagogëve doktorantë, i përbërë nga Malvina Xhabafti, Hafsa Laçi, Enxhia Sala, Jonida Çarka, Tea Tavanxhiu, Milena Shehu, Migena Musallari, Jorgo Çipa, Muhamet Zeneli, Xhulio Mitre dhe Denisa Millo, përveç përvojës social-kulturore frymëzuese, në kornizën e objektivave të sipërcituara, u njoh nga afër me metodologjitë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor. Ata morën pjesë në seminare e webinar-e në fushën e teknologjisë. Gjithashtu, nëpërmjet kontaktit me kolegë të fushave të ngjashme në Universitetin Linneaus, patën mundësi të orientoheshin më tej në pyetjet kërkimore të programeve të studimit.

Bashkëpunimi mes Universiteteve të mësipërme u zgjerua edhe me Universitetin e Lundit, i cili ofron, përgjatë periudhës së doktoraturës, kurse falas “online” për pedagogët në fjalë.

Gjatë Majit, grupit të doktorantëve iu bashkuan për një periudhë disa ditore edhe disa pedagogë të departamentit, si pjesë e shkëmbimeve dhe projekteve të ngjashme.

Në frymën e feedback-ut pozitiv, Dekani Prof. Dhori Kule realizoi edhe një takim me pedagogët e përfshirë në shkëmbim. Disa prej tyre pjestarë të grupit të punës të ngritur nga departamenti për vizitën kërkimore në Universitetin e Linnaeus-it dhe pjesa tjetër studentë në ciklin e tretë të studimeve në nënfushat e kërkimit të departamentit.

Në takimet e bashkëpunimit ndërmjet grupit të punës të përbërë nga Prof. Asoc. Elira Hoxha, Prof. Asoc. Kreshnik Vukatana, Dr. Albana Gorishti dhe Dr. Blerina Vika nga departamenti SIZ-FE dhe atyre të CS-Linnaeus, fokusi ishte shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira, të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe rritjen akademike. Këto takime shërbyen për të shkëmbyer përvoja dhe për të mësuar nga sukseset dhe sfidat e njëri-tjetrit. Duke ndarë njohuritë dhe praktikat më të mira, pedagogët e FE-së mund të rrisin kolektivisht standardet e tyre arsimore, të përmirësojnë metodologjitë e mësimdhënies dhe të përmirësojnë përvojën e përgjithshme të të nxënit për studentët.

Në këtë kuadër grupi i punës mori pjesë në disa workshop-e dhe aktivitete të tjera si ai i mbajtur në ditën e Europës, nga aleanca universitare EUniWell ku Universiteti i Linnaeus-it është anëtar, apo workshop-i mbi temën "Qasja socio-teknike për transformimin digjital në industri".

Gjithashtu, u zhvillua një vizitë një-ditore në kampusin e Kalmar-it i cili është shpallur si qyteti studentor më i mirë për vitin 2023 në Suedi. Gjatë kësaj vizite grupi i pedagogëve mori pjesë në procesin për mbrojtjen e temave për diplomat në ciklin Bachelor. Një proces me teknika dhe metodologji inovative i cili zhvillohej për herë të parë në këtë universitet.

Një takim tjetër, mjaft frytdhënës ishte takimi i zhvilluar me Znj. Lundqvist, nga zyra për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe projektet dhe Znj. Mirijamdotter koordinatore për programin Bachelor në Sisteme Informacioni, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit midis departamentit SIZ-FE dhe departamentit të Informatikës-Linnaeus në përshtatjen e një programi masteri të tipit “dual degree” në Sisteme Informacioni, që do njihej nga Universiteti i Tiranës dhe ai i Linnaeus-it. Nga grupi i punës të pedagogëve SIZ-FE u theksua vendosmëria dhe dëshira nga dekani i FE-së Prof. Dhori Kule për të vazhduar këtë bashkëpunim të filluar që nga viti 2013. Qasja nga pala suedeze ishte mjaft pozitive për t’u angazhuar dhe vazhduar më tej këtë bashkëpunim.

Drejtuesit e Fakultetit të Ekonomisë dhe Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar, në Universitetin e Tiranës iu shprehin mirënjohjen drejtuesve të Universitetit Linneaus dhe Lund, për mundësitë ofruar stafit të tyre dhe urojnë që marrëdhëniet të thellohen më tej, në drejtim të programeve të përbashkëta e diplomave të dyfishta!

Bashkëngjitur gjeni disa foto që ilustrojnë përvojat e përmendura

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.