Ditën e Mërkurë, datë 19.04.2023 në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë u realizua aktiviteti përmbyllës i Maratonave të Agorave Institucionale dhe Humane mbi Etikën Digjitale në Universitetin e Tiranës, në kuadër të projektit me të njëjtin emër mbështetur nga Agjensia Kombëtare e Kërkimit dhe Inovacionit (AKKSHI).
Agora ka në fokus ndërtimin e diskursit institucional nga të gjithë faktorët humanë dhe institucionalë të universitetit mbi “Policy Paper” pas rezultateve të studimit të kryer nga grupi ndërdisiplinor (Keta, Kromici, Sinaj, Goga, Busho).
Të pranishëm në takim ishin; drejtuesja e projektit Prof. Asoc. Dr Majlinda Keta, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule, anëtarë të dekanatit, pedagogë të departamentit të SIZ, psikologë dhe studentë pjesëmarrës në projekt.
Drejtuesja e projektit, Prof. Keta, ndër të tjera vlerësoi faktin që në këtë proces të vlerësimit të gjendjes përmes studimit si dhe të ideimit të ndryshimit të dëshiruar, për një normim më të arrirë të jetës akademike dhe kërkimit shkencor bazuar mbi njohuritë, parimet dhe aftësimin me Etikën Digjitale, rrugëtuan bashkë studentë, stafe akademike, stafe administrative dhe autoritete drejtuese. Ajo shtoi se bashkarisht do të marrin edhe “Po”-në e këtij dokumenti politik që do t’i drejtohet organit më të lartë vendimarrës, Senatit Akademik dhe Rektorit të UT-së, duke thekstuar se kjo është Agora e ekspertëve ndër më të mirët të UT-së nga fusha e menaxhimit akademik.
Ndërsa Dekani i FE, Prof. Dr. Dhori Kule, gjatë fjalës së tij, theksoi se sot ndërdisiplinariteti duhet të jetë dimensioni në zhvillim i kërkimit dhe inovacionit që duhet të prodhojë UT.
Prof. Kule u shpreh se FE i është mirënjohës procesit të ndërtuar nga projekti, atij të ndërtimit të Agorës në çdo njësi kryesore të UT-ës me të gjithë faktorët dhe faktorët humanë në to. Dekani vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve të viteve të para në këtë proces diskutimi, si vlerë e demokracisë tonë universitare pasi është përgjegjësi e çdo gjenerate studentësh për të rritur cilësisht fakultetin ku studiojnë dhe UT-ës në përgjithësi.
Maratona e Agorave Institucionale dhe Humane në UT, projekt i mbështetur nga AKKSHI u përmbyll në FE, duke i lënë vend në vijim realizimit të Shkollës Verore për 25 studentët e parë, Trajneri i Trajnerëve, për Etikën Digjitale në UT.