Departamenti_Marketing_Turizem.JPG

 Me mbështetjen e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule në datat 1-2 Prill 2023 u organizua trajnimi i radhës dy ditor me temë "Kërkimi i literaturës dhe metodat eksperimentale të kërkimit shkencor" në Qendrën e Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Marketing-Turizëm. Trajnimi u mbajt nga Prof. Asoc. Aulona Ulqinaku, shqiptarja shumë e suksesshme që na bën krenarë si vend që prej vitesh është pjesë e Departamentit të Marketingut në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Leeds.
Prof. Asoc. Ulqinaku është doktoruar në Universitetin e Bocconit në Milano dhe ka eksperiencë mbi 10-vjeçare në fushën e eksperimenteve në Marketing, duke fokusuar kërkimet e saj në temën e mirëqenies psikologjike dhe financiare të konsumatorit. Ajo mbulon rolin e Redaktores rajonale për Europën në revistën shkencore ndërkombëtare "Psychology & Marketing" dhe është pjesë e bordit drejtues të revistës shkencore "Annals of Tourism Research". Kërkimet e saj janë publikuar në një seri revistash shkencore si dhe janë vlerësuar me çmime prestigjioze për impaktin e tyre në shkencat sociale.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, Prof. Asoc. Ulqinaku fillimisht ndau me studentët e doktoraturës rregullat dhe procedurat për të identifikuar fushat ku mund të fokusohen me kërkimet e tyre, duke rritur kështu kontributet e kërkimit shkencor dhe mundësitë e publikimit në revista të njohura ndërkombëtare. Në ditën e dytë, Prof. Asoc. Ulqinaku u fokusua në metodat eksperimentale të kërkimeve në Marketing, duke shpjeguar procedurën, por edhe duke treguar në rrugë praktike se si mund të përpilohet një eksperiment, se si të mblidhen të dhënat online, dhe si të analizohen dhe interpretohen efektet direkte, mediacionet, dhe moderacionet në fushën e marketingut. Kjo metodë ndihmon jo vetëm kërkimet shkencore për disertacionin e studentëve të doktoraturës, por edhe bashkëpunimet me kompanitë dhe biznesin.

Bashkëngjitur gjeni foto gjatë trajnimeve

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.