Në fillim të muajit Dhjetor 2022, në kuadër të projektit Erasmus + KA107 dhe marrëveshjes së lidhur ndërmjet Universitetin Poitiers, në Francë dhe Universitetit të Tiranës, u realizua një vizitë studimore (Staff Mobility) nga dy pedagogë të Departamentit të Manaxhimit, Prof. Dr. Mimoza Kasimati dhe Prof. Dr. Hysen Çela.
Prof. Dr. Mimoza Kasimati, veç aktiviteteve të tjera, dha leksionin "Format e reja të punës, puna në platforma, shtrirja dhe efektet për popullatën e Ballkanit Perëndimor" për studentët e vitit të parë në Masterin për Biznes Ndërkombëtar në Institutin e Administrimit të Ndërmarrjeve (IAE) Poitiers. Programet Erazmus+ që mbështetën mobilitetin një javor, veç të tjerash synojnë ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe shtimin e vlerës së kurrikulave duke zgjeruar horizontin e studentëve pa qenë nevoja të lëvizin nga vendi i tyre.
Prof. Dr. Hysen Çela, gjatë vizitës studimore ka zhvilluar takime me drejtuesit e IAE ku u njoh me rolin e kësaj qendre dhe u diskutua për mundësinë e ndërmjetësimit të praktikave të studentëve dhe organizimin e aktiviteteteve të përbashkëta me interes akademik dhe të biznesit. Po ashtu u zhvilluan leksione me studentët e programit Master në Marketing dhe një vend të rëndësishëm patën edhe diskutimet mbi fushat dhe formatin e mësimdhënies.
Këto aktivitete i shërbejnë ndërkombëtarizimit të universiteteve, bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të praktikave më të mira akademike.