Ditën e Mërkurë, datë 24. 11. 2021 në ambjentet e Fakultetit të Ekonomisë, Salla e Konferencave, u zhvillua takimi midis përfaqësuesve të Fakultetit të Ekonomisë, UT dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Të pranishëm në aktivitetin e organizuar ishin Dekani i FE, Prof. Dr. Dhori Kule, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Delina Ibrahimaj, anëtarë të Dekanatit dhe studentë të FE.
Prof. Dr. Dhori Kule u shpreh se është i domosdoshëm dhe shumë i dobishëm vijimi dhe sidomos thellimi i bashkëpunimit të FE me MFE në procesin e praktikave studentore, stazhit në aparatin e MFE dhe punësimin e studentëve ekselentë. Theksi u vendos veçanërisht në hapjen e procesit të Doktoraturave, ku bashkëpunimi mund të konkretizohet nëpërmjet aksesit në të dhëna nga drejtori të ndryshme në varësi të MFE nga njëra anë dhe ofrimit të ekspertizës apo konsulencës nga stafi akademik për çështje dhe probleme të ndryshme.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se do të angazhohet që të ketë akoma më shumë bashkëpunime të tjera më Universitetin.
“Me rifillimin e doktoraturave, jam e bindur që do të ketë kërkesa nga ana jonë për studime dhe nëse do të vijnë të mirëpritura nga ju, besoj se është e rëndësishme që këto doktoratura të adresohen në nevojat që ka politikëbërja për analiza dhe studime të thelluara. Pastaj të gjitha pikat e tjera të memorandumit janë padiskutim studentët e ekselencës, praktikat, stazhi, etj. Për ne është shumë e rëndësishme të marrim studentët ekselentë dhe pastaj të vazhdojnë të punojnë në administratë, dhe pas periudhës së parë të provës të konfirmohen ata studentë që janë realisht të aftë për të punuar. Të rinjtë janë e ardhmja dhe kam dëshirë që me studentët të zhvillojmë takime periodike për t’i dëgjuar ata”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Tre strategji që do të hartohen në fillim të vitit të ardhshëm, që sipas MFE kanë nevojë për konsultime me ekspertë të FE:
"E para, hartimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave, që përqendrohet në ndryshime të politikave fiskale dhe gjithë hapësirat dhe përjashtimet efiçente që janë krijuar gjatë viteve.
E dyta, strategjia që synojmë të hartojmë, strategjia e eksporteve që synon nxitjen dhe rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare. Nëse do kemi përfaqësi nga fakulteti dhe bota akademike do të ketë rritje të cilësisë dhe pozitivitet.
E treta, do të hartojmë strategjinë e informalitetit, e cila asnjëherë nuk ka qenë në formë strategjie, duke përfshirë shumë institucione. Kjo është drejtuar në institucione të ndyshme pa patur një ombrellë të përgjithshme.
Në këto tre fusha ne do të angazhohemi që në fillim të vitit tjetër dhe ju ftoj të jeni pjesë e këtyre angazhimeve".
Qëllimi i memorandumit të bashkëpunimit:
- Vijimi i marrëveshjes ndërmjet dy institucioneve ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe për të marrë ekspertizën më të mirë në fushën e reformave ekonomike, financiare, atyre të punësimit dhe zhvillimit të aftësive si dhe promovimin e studentëve me rezultate të shkëlqyera ose nga shtresat vulnerabël.
- Studentët, nën drejtimin dhe organizimin e pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë të UT, jo vetëm do kenë mundësinë të ofrojnë idetë e tyre, por njëkohësisht do të kontribuojnë pranë Fakultetit mbështetur në projektet dhe studimet kërkimore-shkencore, për të cilat Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nevojë.
Bashkëpunimi FE-MFE në interes të dy institucioneve, studentëve, pedagogëve etj, do të thellohet konkretisht në këto drejtime:
- MFE mbështet studentët e FEUT për të zhvilluar praktikat në aparatin e MFE, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Agjencinë Shqiptare të Trajtimit të Koncesioneve, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, etj.
- MFE mbështet studentët e diplomuar në FEUT për të kryer stazhet në aparatin e MFE, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, etj.
- MFE do t’iu japë prioritet në punësim studentëve të ekselencës të diplomuar në FEUT në aparatin e MFE dhe institucioneve të tjera në varësi të kësaj ministrie.
- MFE do të mbështesë FEUT duke nxitur ndërveprimin e FEUT me institucione dhe subjekte të ndryshme sa i përket shërbimeve që FEUT mund të ofrojë, si studime fizibiliteti, tregu, segmentim klientele, fushata marketing, etj. MFE do të ndërmjetësojë me institucionet e varësisë adresimin e kërkesave për të dhëna, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
- MFE do të mbështesë FEUT në prezantimin e nevojave për infrastrukturë dhe pajisje pranë kompanive që alokojnë fonde mbi bazën e parimit të përgjegjësisë sociale.
- FEUT dhe MFE do të krijojnë lidhje të ngushtë për transferimin e njohurive, raporteve dhe kërkimeve shkencore, në funksion të shkëmbimit dhe hapjes se dijeve në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.
- MFE dhe FEUT do të bashkëpunojnë në aplikime të përbashkëta për projekte ndërkombëtare me fokus programet e Bashkimit Evropian ku Shqipëria aderon.
- Dy institucionet do të bashkëpunojnë për organizimin e konferencave të veçanta në fushën e zhvillimit ekonomik dhe tregjeve financiare.