Aristotel_Pano.jpg

Profesor Aristoteli është një nga korifejtë e Financës dhe Kontabilitetit në Shqipëri. Ai është një nga themeluesit e programeve të studimit të Kontabilitetit, Fianancës dhe Analizës në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Insititutit të Studimeve Ekonomike pranë Akademisë së Shkencave. Ai ka një kontribut të shquar në fushën e Ekonomisë, Financave dhe Kontabilitetit nëpërmjet shumë monografive, botimeve të teksteve dhe librave të shumtë, studime dhe artikuj shkencorë për analizën ekonomiko-financiare, kontabilitetin, financat dhe shkencën ekonomike në përgjithësi.

Ai ka qënë një nga modelet dhe figurat shembull për breza të tërë të studiuesve, ekonomistëve, pedagogëve, studentëve dhe ka drejtuar në rrugën e studimit shumë prej ekonomistëve të suksesshëm në vendin tonë. Profesor Aristoteli përbën një pikë referimi për punën e tij të palodhur dhe shumë produktive. Ai ka punuar në mënyrë të pandërprerë për më shumë se 60 vite jo vetëm si pedegog por edhe si këshilltar i qeverive shqiptare dhe shumë bizneseve. Për kontributin e tij ai është nderuar me disa medalje dhe çmime si; “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.  Urdhëri “Naim Frashëri” të shkallës I-rë dhe të II-të, çmimi i “Republikës të Shkallës së Dytë” etj. Kolegët dhe studentët e tij do ta kujtojnë gjithmonë profesor Aristotelin për energjinë, thellësin e arsyetimeve dhe thjeshtësinë e tij, për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit dhe kurajon dhe guximin shkencor të tij. Pavarësisht se vitet kalonin Profesor Aristotelit nuk i shteronte energjia dhe dëshira për të punuar dhe kontribuar me dijet e tij.

Ndarja nga jeta dhe nga gjiri ynë i Profesor Aristotelit përbën një humbje të madhe për të gjithë miqtë, kolegët, studentët që e kanë njohur dhe punuar me të, një humbje të madhe dhe për shkencën e Ekonomisë, Financës dhe Kontabilitetit shqiptar.  Të gjithë do të kujtojmë dhe nderojmë përjetë kujtimin e jetës dhe veprës së Profesor Aristotel Panos.

Profesor Aristoteti, u prefsh në paqe! Do ta ndiejmë shumë mungesën tënde!

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.