Departamenti i Marketingut është një nga gjashtë departamentet e Fakultetit të Ekonomisë, i krijuar në vitin 1993. Ai është krijuar pas ndryshimeve demokratike mbi bazën e Katedrës së Tregtisë dhe Merceologjisë. Departamenti aktualisht mbulon, krahas lëndëve që zhvillohen në trungun e përbashkët, edhe lëndët për profilet e marketingut dhe profilit të turizmit. Këto profile ndahen pas përfundimit të vitit të tretë, mbi bazën e zgjedhjes nga studentët e administrimit të biznesit. Gjithashtu, departamenti i marketingut është përgjegjës për programin pasuniversitar “Master në Marketing (MM)".
Departamenti i Marketingut ka marrë pjesë në tre programe TEMPUS me Universitetin ”Pierre Mendes France” (Grenobël-Francë), Universitetin e Budapestit (Hungari), Univesitetin e Anxherit (Francë) dhe Shkollën e Lartë të Turizmit (Selanik-Greqi) si dhe me Shkollën e Lartë të Turizmit (Modena-Itali). Ai ka marrë pjesë gjithashtu në programe të tjera që janë drejtuar nga Departamentet e tjera të Fakultetit. Gjithashtu, personeli i departamentit ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me universitete të ndryshme duke organizuar e marrë pjesë në shumë veprimtari shkencore lokale dhe ndërkombëtare. Mbi bazën e eksperiencës së fituar për këtë departament janë hartuar programet mësimore, në përputhje me kërkesat që shtrohen për përgatitjen e specialistëve, sipas kërkesave të tregut.
Departamenti i Marketing – Turizmit, aktualisht ka 20 pedagogë efektivë nga të cilët 5 mbajnë titullin ”Profesor”, 5 titullin ”Profesor i Associuar”, 6 kanë graden ”Doktorë shkencash”, 4 pedagogë janë me diplomë ”Master” të angazhuar intensivisht në kualifikimin pasuniversitar dhe që përballojnë me sukses një ngarkesë të konsiderueshme pedagogjike.
Departamenti i Marketingut është ndër departamentet e para që ka vendosur lidhje me departamente homologe të universiteteve më në zë në vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA, me të cilët bashkëpunon në mënyrë të frytshme. Po kështu ai bashkëpunon me një numër të konsiderueshëm biznesesh të suksesshëm brenda vendit dhe Universitetet e rretheve. Personeli më i kualifikuar i Departamentit është angazhuar në përgatitjen e teksteve mësimore për studentët që vazhdojnë Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe rrethe. Ai merr pjesë gjerësisht në studime të ndryshme shkencore.