Biografia: Petraq Milo, ka fituar titulli Profesor ne vitin 2013. Petraq Milo është doktor i shkencave ekonomike akorduar nga CERDI, Universiteti i Clermond-Ferrand 1, Francë në vitin 1999. Në vitin 1996 ka përfunduar studimet për Master në Administrimin e Politikave Ekonomike nga Universiteti i Clermont-Ferrand, CERDI dhe Banka Botërore në Francë dhe SHBA. Në vitin 1988 është diplomuar si ekonomist për industrinë nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit të Biznesit në Universitetin e Tiranës, po ashtu është diplomuar si oficer instruktor i artilerisë tokësore në Shkollën e Lartë të Bashkuar (1981).
Fillimet e karrierës së tij lidhen me punë në ndërmarrje të ndryshme të vendit që i përkisnin sektorëve të tregtisë dhe industrisë. Në vitin 1991 filloi punë në Ministrinë e Financave, fillimisht në pozicionin e drejtorit të Departamentit të Çmimeve dhe Pagave, më pas si drejtor i Departamentit të Analizave Makroekonomike dhe të Parashikimeve, për të kaluar në vijim si drejtor i Departamentit të Buxhetit. Ne vitin 1996 ka punuar në Departamentin 2 të Rajonit të Europës dhe Azisë Qëndrore të Bankës Botërore në Washington D.C. Gjithashtu ka ofruar konsulencë financiare për projekte dhe punëdhënës të ndryshëm, ndër të cilët Qendrën e Studimeve dhe Kërkimeve mbi Zhvillimin Ndërkombëtar CERDI, Clermont-Ferrand, Francë (1996-1999); Maxwell Stamp Offices, Londër, Angli (1999); Agjencinë Franceze të Zhvillimit, Francë (1999-2000); Delegacioni Europian EU- Cards Program (2005). Gjithashtu, ndër eksperiencat e tij profesionale në fushën e konsulencës renditet edhe pozicioni i drejtuesit të kompanisë konsulente “EUROCONSULTING – Group”, të licencuar në Prishtinë (2005-2008).
Gjatë periudhës 2000-2005, Petraq Milo ka ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese në Kosovë pranë Shtyllës së 4 të Bashkimit Europian dhe të Kombeve të Bashkuara, si zv drejtor dhe më pas drejtor i buxhetit në Departamentin e Buxhetit pranë Autoritetit Qëndror Fiskal, UNMIK (2000-2002); drejtor i politikave keshilldhënëse Zyra Fiskale - Komuniteti Europian Shtylla 4, UNMIK (2003); drejtues i Zyrës Fiskale dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Autoritetit Bankar - UNMIK, Kosovë (2003-2005). Nga viti 2005 deri ne vitin 2013 ka mbajtur pozicionin e këshilltarit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për financat publike dhe politikat monetare. Z. Petraq Milo është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011 deri ne vitin 2018. Nga viti 2019 deri ne vitin 2022 ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ekonomik të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Është njohës shumë i mirë i gjuhëve angleze, italiane dhe franceze.
Z. Milo ka patur ndër vite edhe një sërë angazhimesh të tjera profesionale si anëtar i Bordit të Koorporatës së Naftës (1992-1994); anëtar i Bordit të Sigurimeve Shoqërore (1993-1994); president i Komitetit të Borxhit të Brendshëm (1994); anëtar i Bordit të KESH (2005-2008); kryetar i Bordit të INSIG (2007-2011).
Ndërkohë, As.Prof.Dr. Petraq Milo është i angazhuar edhe në mësimdhënie, si lektor pranë Qendrës së Studimeve dhe Kërkimeve mbi Zhvillimin Ndërkombëtar të Universitetit të Clermont-Ferrand 1 në Francë; si asistent profesor në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik si dhe në Institutin e Studimeve Europiane; si asistent profesor në Universitetin e Biznesit dhe të Teknologjisë në Kosovë; si dhe asistent profesor në themelimin e Universitetit të Europës Juglindore në Maqedoni. Është autor i studimeve dhe publikimit të librave si dhe artikujve brënda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës në shumë seminare dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe të financës, si dhe është udhëheqës i studimeve master dhe doktoraturave për tematika të fushës së ekonomisë. Ndersa nga viti 2013 deri ne vitin 2019 eshte angazhuar si pedagog me kohe te plote ne Departamentin e Finances te Fakultetit Ekonomik te Universitetit te Tiranes, pozicion te cilin e rifillon ne Maj te vitit 2022.
Është njohës shumë i mirë i gjuhëve angleze, italiane dhe franceze.