Beshir_Ciceri.jpeg

Me hidhërim të thellë Fakulteti i Ekonomisë njofton ndarjen nga jeta të Profesor Doktor Beshir Ciceri.

Profesor Beshiri është një nga profesorët me kontributin dhe karrierën më të gjatë akademike pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ai është një nga profesorët themelues të programeve dhe kurrikulave bashkëkohohore në fushën e financave, ideator dhe krijues i koncepteve të menaxhimit financiar dhe financave publike në Shqipëri.

Për thuajse pesë dekada Prof. Beshiri, krahas angazhimit në auditore, ka kontribuuar gjerësisht në pasurimin e aktivitetit akademik dhe shkencor me pjesëmarrje në konferenca, kumtesa, referime dhe monografi, duke shprehur pikëpamjet e tij mbi kuadrin financiar dhe fiskal në vendin tonë.

Ai do të mbahet mend për botimin e mbi 15 teksteve mësimore shkencore, si dhe angazhimin e tij në detyra dhe funksione drejtuese dhe administrative në Fakultetin e Ekonomisë. Prof. Dr. Beshir Ciceri ka qenë disa herë Përgjegjës i Departamentit të Financës, Anëtar i Këshillit të Fakultetit, Kryetar i Këshillit të Profesorëve, etj. Ai do të kujtohet si një mbështetje dhe mentor për të gjithë studentët dhe kolegët e tij, si një pikë referimi për këshilla dhe vendimmarje.

Ndarja e tij është një humbje për të gjithë ata që e njohën, e deshën dhe respektuan një profesor të mençur, të dashur e miqësor me të gjithë.
Do i mungosh shumë bashkëshortes Lumes, vajzave Gentës dhe Ilirës, mbesave dhe nipit dhe të gjithë kolegëve dhe studentëve, Profesori ynë i dashur!

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.